Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Asociacioni i Komunave Serbe është thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sipas propozimit të BE-së dhe se administrata e presidentit Joe Biden dëshiron që çështjet e diskutueshme dhe tensionet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price deklaroi se Uashingtoni beson se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të hapë derën e integrimit evropian dhe është thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin më të madh të Ballkanit Perëndimor.
Ai përsëriti mbështetjen e SHBA-së për përparimin e dialogut ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, duke theksuar se megjithëse negociatat e Brukselit në fund të shkurtit përfaqësonin një “hap pozitiv përpara”, ende ka punë të mëdha për tu bërë.
“Ne besojmë se normalizimi i marrëdhënieve duhet të përqendrohet në njohjen e mundshme reciproke”, ka thënë Price.
Raundi i ardhshëm i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është caktuar për më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.