Të mërkurën e 8 marsit Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për barna, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas marrjes së këtij vendimi ka theksuar se përveç Kosovës edhe Bjellorusia nuk ka pasur një ligj të tillë.
“Kosova tashmë po hiqet nga kjo listë. Projektligji ka për qëllim rregullimin e kostos që barnave që ajo të jetë e përballueshme dhe edhe më lirë sesa në vendet e rajonit”, ka deklaruar ministri Vitia.
Tutje ai ka njoftuar se me marrjen e këtij vendimi qytetarët do ta kenë më lehtë pasi në të gjitha barnatoret do të kenë çmimet e njëjta.
“Sipas projektligjit çmimi në çdo barnatore do të jetë i njëjtë”, tha Vitia.
Para miratimit të këtij projektligji ministri Vitia ka njoftuar se “përcaktimi i çmimit krijohet nga sistemi rregullator në Republikën e Kosovës dhe buron nga prioriteti i qeverisë për të siguruar barna të nevojshme.
Albulena Hajdari qytetare nga Gjilani është shprehur e kënaqur për vendimin e Qeverisë që barnat të jenë në cdo barnatore më çmim të njëjtë, pasi sipas saj ka pasur shumë dallime në çmime për ilaçin e njëjtë.
“Jemi shumë të kënaqur me vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e çmimit tavan sepse e dimë që në çdo barnatore janë çmimet e njëjta dhe nuk kemi nevojë të shkojmë në barnatore të ndryshme ti shohim çmimet pasi deri më tani barnat e njëjta kanë qenë me çmime të ndryshme, ka pasur shumë dallime prej barnatores në barnatore”, tha Hajdari për Gazetën “Enigma”.
Tutje ajo ka shtuar se ky vendim më së shumti do t’i ndihmoj personat e moshuar që kryejnë vet blerjet e barnave.
“Tani do ta kemi shumë më të lehtë, ky vendim do të jetë në të mirë të të gjithëve e sidomos në favor të moshuarve që kanë kryer blerjet vet”, është shprehur ajo.
Barnatoret do përballen me gjoba, nëse nuk e respektojnë vendimin
Ndërkohë zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Shëndetësi, Haxhi Avdyli, nga Lista Guxo në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se përfituesit kryesor të këtij vendimi do të jenë qytetarët.
“Është një ligj shumë i mirëpritur i cili do të ketë impakt drejtpërdrejtë në çmimet e barnave, ku përfituesit kryesor do të jenë qytetarët sepse edhe në të kaluarën kur kishim kohë krizash, më saktë kur kishim krizat me COVID-19 por edhe në të kaluarën nuk ka pasur rregulla për çmime dhe qytetari ka qenë në mëshirën e farmacistit çmimet e barnave”, tha ai.
Tutje Avdyli ka theksuar se pas marrjes së këtij vendimi do të ketë çmim tavan që farmacitë do të jenë të obliguar t’i përmbahen strikt.
“Tani me këtë ligj do të ketë një çmim tavan, do të ketë kuota të përfitimit në barna. Do të caktohet çmimi për barna që do të varet prej shumës, për shembull prej 1 deri në 10 euro përqindja e fitimit në barna që farmacitë do të duhet të përmbahen strikt”, ka thënë Avdyli për “Enigmën”.
Por sipas Haxhiut “mangësi këtu mund të jetë mungesa e inspektorëve, numri i vogël i tyre dhe pamundësia për të kontrolluar, por në të njëjtën kohë kjo shton përgjegjësin”.
Avdyli ka shtuar tutje se nëse barnatoret nuk do t’i përmbahen këtij ligji do të ketë edhe shqiptim të gjobave.
“Në njëfarë mënyre inspektorët kanë drejtë do për shqiptim të gjobave ndaj farmacive që nuk respektojnë çmimin tavan, veçanërisht nëse qytetari bënë ndonjë deklarim të rreptë rreth çmimeve që nuk përputhet me atë çka ligji nuk e parasheh”, ka përfunduar ai.
Udhëheqësi i Barnatores së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Fatos Aliu, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se ndonëse vendosja e çmimit tavan për barna është veprim i vonuar, sërish vendimi është në të mirë të qytetarëve.
“Po është një vendim shumë i mirë dhe shumë i vonuar sepse si për qytetarë që është i mirë po ashtu edhe për sektorin farmaceutik është i mirëseardhur sepse do të ofrohen shërbime për të gjithë qytetarët në të gjitha barnatoret njësoj”, ka deklaruar Aliu .
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e QKMF-së në Gjilan, Arbenita Hadari, e cila tha se kjo do të jetë një përparësi për qytetarët pasi që nëpër barnatoret private deri tani ka pasur laramani të çmimeve.
“Mendoj se nëse bëhet nivelizimi i çmimit të barnave me aq sa e kam kuptuar atëherë është mirë pasi që çmimi ka me qenë i njëjtë pa marr parasysh se ku e blen, kjo është përparësi për qytetarët pasi që ka laramani të çmimeve nëpër barnatoret private”, tha Hajdari për “Enigmën”.
Ministri Vitia: Do të punësohen edhe 42 inspektorë shëndetësorë
Kujtojmë se në një konferencë për media, Vitia bëri të ditur se për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji MSH-ja do të punësojë edhe 42 inspektorë shëndetësorë, të cilët janë paraparë edhe në buxhetin për vitin 2023.
“Një nga premtimet edhe në fushatë ka qenë trefishimi i numrit të inspektorëve në secilin sektor. Në buxhetin e këtij viti janë paraparë edhe 42 inspektorë shëndetësorë, të cilët do të kontribuojnë në monitorimin e këtij ligji”, ka deklaruar ministri Vitia.
Tutje ai ka njoftuar se “shumë shpejt qytetarët do ta kenë ligjin përpara dhe do ta shohin sa rregullon në parim çdo çështje”./GAZETA ENIGMA/