Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj gjatë takimit me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestërimin e krimeve të rënda kanë shenjëstruar dy raste të reja me 47 persona të përfshirë.
Prokuroria Speciale njofton se në rastin e parë janë të përfshirë 23 persona për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit’’ “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, si dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Gjithashtu, lidhur me këtë rast janë sekuestruar asete dhe mjete monetare, me ngrirje afatgjate për prona të paluajtshme dhe xhirollogarive bankare, si sekuestrimi 7 banesave dhe parcelave tokësore, ngrirje të xhirollogarisë bankare me vlerë monetare 186,861.75 euro; janë sekuestruar 4 vetura të markave të ndryshme; pasuri të luajtshme me vlerë, si dhe para të thata.
Kurse, rasti i dytë i shënjestëruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka të bëjë me 24 persona të përfshirë në vepra të ndryshme penale si “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Përvetësimi në detyrë”, “Falsifikim të dokumentit zyrtar”, “Shmangie nga tatimi” si dhe “Mashtrim në prokurim publik”.