Kombëtarja e Kosovë do të luaj dy ndeshjet e para të vitit 2023 dhe do të nis pas pak ditësh ciklin kualifikues për Euro 2024.
Përzgjedhësi Alain Giresse për dy ndeshjet e para kualifikuese kundër Izraelit dhe Andorrës, ka ftuar 26 futbollistë, më mesin e tyre edhe disa që vijnë për herë të parë.
Emri më i ri në listë është ai i mbrojtësit të talentuar Amar Gërxhaliu që po luan te Antalyaspor, si dhe Albion Rrahmani i Ballkanit dhe Arbnor Muja i Royal Antawerp.
Amar Gërxhaliu
Mbrojtësi 20 vjeçar vushtrrias luan te Antalyaspor, ku këtë sezon ka zhvilluar tri ndeshje në elitën e futbollit turk.
Ai konsiderohet si një prej lojtarëve me të ardhme të madhe dhe paraqitje e tij në Superligën e Turqisë në këtë moshë e konfirmon këtë gjë.
Debutimi i tij me Antalyaspor erdhi më 9 nëntor 2022 në raundin e katërt të Kupës së Turqisë 2022–23 kundër Pendikspor.
Më 15 shtator 2022, Gërxhaliu mori thirrje nga Kosova U21 për një kamp stërvitor të mbajtur në Antalia të Turqisë dhe luajti një ndeshje miqësore kundër Grenlandës.
Arbnor Muja
Sulmuesi i krahut që po luan te Antëerp në Belgjikë, nuk është i panjohur për opinionin kosovar, pasi ka luajtur me klub si Trepça, Trepça ’89 dhe së fundmi Drita, nga ku shpërtheu dhe bëri transferimin e madh.
Ai ka edhe gjashtë ndeshje të luajtura për Kosovën U21.
Muja ka bërë karrierë edhe në Gjermani te Eintracht Braunschëeig dhe në Shqipëri te Skënderbeu.
24 vjeçari në të gjitha garat këtë sezon me Antwerp ka tre gola dhe katër asistime, duke u kthyer në lojtar të rëndësishëm për Mark van Bommel.
Albion Rrahmani
Sulmuesi 22 vjeçar i Ballkanit, është i vetmi lojtar i ftuar nga Superliga e Kosovës.
Ai ka 15 gola deri më tani këtë sezon në elitën e futbollit tonë, dhe udhëheq listën e top-shënuesve.
Rrahmani ishte prej më të mirëve në suksesin e Ballkanit në garat evropiane këtë vit.
Sulmuesi llapjanas pritet të jetë shitja e madhe e radhës nga futbolli ynë për ndonjë klub në një kampionat më të madh.