Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka dënuar Llapin dhe Ballkanin. Dy klubet e Superligës, KD-ja i ka dënuar me nga 1000 euro.
Llapi u dënua për lëshim në organizimin e ndeshjes Llapi – Ballkani e zhvilluar më 12 mars në Podujevë. Llapi e fitoi 3:2 ndeshjen e javës së 25-të.
Ndërkohë Ballkani është dënuar për shkak të incidentit dhe demolimit të 150 ulëseve të stadiumit “Zahir Pajaziti” nga shikuesit e klubit suharekas.
“Tifozët e Ballkanit demolojnë dhe dëmtojnë më shumë se 150 ulëse dhe të njëjtat i hedhin në drejtim të shikuesve të FC Llapi dhe jashtë stadiumit në rrugë, me ç ‘rast lëndohet një zyrtar policor në detyrë (në rroba civile) dhe dëmtohen kombi i VAR-it dhe kombi i transmetuesit”, shkruan në raportin e KD-së.
Po ashtu Ballkani duhet të paguajë dëmet e shkaktuara nga “Xhebrailat” në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku është suspenduar me dy ndeshje për shkak të ofendimeve ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Trepça ’89 – Dukagjini, Burim Jahmurataj.