PSD organizoi sot një protestë para Qeverisë, për të protestuar mbi rrjedhën e bisedimeve në Ohër, dhe nënshkrimit eventual të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gazeta Enigma sjell një përmbledhje të gjithë asaj çfarë ndodhi.
Nis protesta e PSD-së kundër marrëveshjes së Ohrit dhe Asociacionit, Molliqaj në krye të qytetarëve
Protestuesit janë nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në drejtim të Qeverisë së Kosovës para objektit të së cilës do të mbajnë edhe fjalimet.
Në krye të protestës është kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Flamujt e bardhë ngjiten para Qeverisë, Molliqaj: Kurti u dorëzua
Aktivistët e PSD-së kanë hequr flamujt e Kosovës përpara objektit të Qeverisë së Kosovës.
Në vend të tyre janë vendosur flamuj të bardhë. Për simbolikën e tyre ka folur Dardan Molliqaj.
Ai ka thënë se ata janë vendosur për të treguar se Kurti është dorëzuar.
“Këta flamuj u zëvendësuan në mënyrë simbolike për të treguar që kryeministri i Kosovës është dorëzuar”, ka thënë Molliqaj.
PSD improvizon me tym të zi para objektit të Qeverisë së Kosovës, mbyllet protesta
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka mbajtur fjalim para Qeverisë së Kosovës ku edhe në mënyrë simbolike janë vendosur flamuj të bardhë.
Ndërkohë aktivistët e PSD-së kanë improvizuar edhe me një lloj tymi të zi, për të treguar atë që Molliqaj e quan “humbje të perspektivës së Kosovës”.
“Kjo marrëveshje paraqet zymtësi dhe i ftojmë qytetarët që ta kundërshtojnë”, ka thënë Molliqaj.
Pas këtij veprimi simbolik, Molliqaj e ka shpallur të mbyllur protestën.