Rreth orës 01:00 në transmetim direkt të reality’sho “Big Brother VIP Albania” janë dëgjuar disa krisma të armëve. Lidhur me këtë Policia në Shqipëri ka dalë me një informacion paraprak.
Sipas Policisë në rrethana të paqarta, nga persona të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të “Top Chanel” dhe si pasojë e të shtënave, ka vdekur roja 60-vjeçar, P.K
“Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).”
Policia ka njoftuar se është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
“Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.”
Ndërsa, Top Chanel e ka bërë publik edhe identitetin e viktimës – Pal Kola.
TCh raporton se më pas në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve por sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.
Të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar edhe në shtëpinë e Big Brother Albania.
Qetsori, Nita dhe Kristi, derisa po rrinin në oborr i kanë dëgjuar të shtënat.