Ekzekutivi kosovar e nisi me vrull ‘luftën’ me restorante e kafiteri ku deri më sot pihej duhani lirshëm në ambiente të mbyllura, përkundër se ligji s’e lejon një gjë të tillë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndonëse gjobat e dhëna nga AUV u shtuan dy javët e para, ditët e fundit vërehet një ulje në intensitetin e gjobave që u jepen bizneseve.
Më datë 16 të këtij muaji, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i shpalli luftë “duhanpirsve” në ambiente të mbyllura, ku paralajmëroi nga AUV masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve sanitarë në teren.
Sipas statistikave të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinarisë rreth Ligjit për Kontrollin e Duhanit vërehet, një rënie drastike në numrin e gjobave të dhëna për bizneset, krahasuar me këtë fillim muaj.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaci, për Gazetën Enigma, bëri të ditur se prej datës 16 mars, deri më 28 mars, janë bërë mbi 1000 inspektime dhe janë dhënë 170 gjoba.
“Prej datës 16 mars, ku ka filluar shtimi i intensitetit të numrit të inspektimeve, e deri më datë 28 mars, janë dhënë mbi 170 gjoba dhe janë kryer mbi 1000 inspektime.” tha ai.
Për dallim prej inspektimeve nga 16 deri më 21 mars, për një javë, prej 21 marsit deri më 28 mars, janë bërë vetëm 317 inspektime dhe shqiptuar 21 gjoba, për shkelësit e Ligjit për Duhanin.
Ndërkohë ndryshimi në shifra vërehet në një postim në rrjetin social, “Facebook”, ku ministri Peci, bëri të ditur se inspektorët e AUV-it në bashkëpunim me Policinë, prej datës 16, deri më 21 mars, kanë kryer 683 inspektime dhe kanë dhënë 149 gjoba, për më pak se një javë.
Në prononcim për Gazetën Enigma, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha se nëse nuk bëhet ndonjë ndryshim eventual në ministrinë e linjës, dhe shtim të numrit të inspektorëve në terren, atëherë në kohën e vjeshtës pritet të kthehet tempoja e njëjtë e mosrespektimit të Ligjit për Duhanin.
“Ligji për duhanin është njëra nga ligjet të cilat s’kanë mund të gjejnë zbatueshmëri si rezultat se në njërën anë qëndron mungesa e inspektorëve në nivel qëndror, që duhet ta monitorojnë zbatueshmerinë e saj. Ndërsa në anën tjeter, mungon në përgjithësi një moskulturë brenda sferës së gastronomëve për të arritur një konsensus që ky ligj të gjejë zbatueshmeri pa patur fare nevojë të mbikqyrjes institucionale. Në anën tjetër nëse nuk do të ketë një ndryshim eventual në ministrinë e linjës por edhe inspektorëve komunal me shtim të tyre, atëherë në kohën e vjeshtës do të na paraqitet situata jo e favorshme duke rikthyer tempon e njëjtë të zbatimit sporadik të këtij ligji.” potencoi ai. / Gazeta Enigma/