Edhe pse kanë kaluar dy muaj prej kur ka hyrë në fuqi Ligji i ri i Pagave, që nga ajo ditë janë shpërfaqur pakënaqësitë e shumë kategorive, në formën se si është bërë ndarja e pagesave, shkruan Gazeta Enigma.
Për ta kundërshtuar koeficientin prej 105 euro, të mërkurën do mbajnë protestë punëtorët e QKUK-së.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga Enlirat Dërmaku, anëtari i Kuvendit tek Oda e Infermierëve të Kosovës, i cili ak potencuar se asnjë infermierë nuk është ndarë i kënaqur me koeficientin.
“Të mërkurën prej orës 10:00 do të filloj protesta për pakënaqësitë që i kemi. Pas kësaj proteste do të presim a do të ketë ndonjë reflektim nga institucionet, nëse nuk ka do të hymë menjëherë në grevë. Asnjë infermierë nuk është ndarë i kënaqur me koeficientin kur rrezikshmëria nuk po paguhet pagesa e shujtës është larguar as gjatë fundjavave nuk paguhen infermierët dhe krejt kjo është e turpshme dhe diskriminuese”, ka deklaruar Duraku.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me ish kryetarin e Odës së Infermierëve, Fitim Havollin, i cili thekson se Qeveria urgjentisht duhet të bëhet bashkë me akterët përgjegjës të këtij sektori dhe të arrijnë një zgjidhje.
“Pavarësisht se kush ka bërë ftesë, vetë punëtorët shëndetësorë për shkak se është bërë një diskriminim në aspektin e përllogaritjes së kujdestarisë dhe vikendeve”, tha Havolli.
Tutje ai ka shtuar se gjendje e shëndetësisë në vend nuk është e mirë.
“Kjo është e dëmshme shumë, jo vetëm për momentin por edhe për të ardhmen përderisa kemi migrime të mëdha jashtë vendit”, ka deklaruar Havolli për Enigmën.
“Qeveria duhet urgjentisht bashkë me akterët përgjegjës të sektorit të shëndetësisë prej ShSKUK-së, Ministri i Shëndetësisë, Ministri i Financave, dhe kryeministri direkt duke mos i ikur edhe atij, kjo problematik e cila haptazi e bëjnë njëfarë lloj mashtrimi dhe fyerje të inteligjencës të të gjithë atyre që din me llogarit që 2 dhe 2 bëjnë 4”, ka theksuar ai.
Llogaritja e këtij ligji nuk bëhet dhe pikë tha Havolli. Kjo llogaritje bëhet sipas shabllonit.
“Shumë e thjeshtë ligji i cili është në fuqi thotë për kujdestari të natës paguhet 30 për qind, ndërsa për vikende 50 për qind. Kjo përllogaritje prej komunitet infermier nuk bëhet dhe pikë. Bëhet sipas pjesës shabllone e cila ju ka dhënë një shumë prej 20 euro dhe me kaq kanë dashur ta përmbyllin këtë pjesë të këtij komuniteti”, tha ai.
Tutje ai është shprehur kundër vendimit të ekzekutivit. “Kjo është nënçmuese, kjo është ofenduese, është fyerje e inteligjencës ndaj gjithë atyre që miren dhe din me ba një analizë të aspektit financiar, gjithmonë duke u bazuar në ligj”, ka përfunduar Havolli.
Ndërkohë, që nga implementimi i ligjit, Policët e Kosovës nuk kanë marrë shtesat për rrezikshmëri, që do duhej ti merrni krahas rrogës mujore.
Për këtë Gazeta Enigma ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili ka konfirmuar se Qeveria ua ka potencuar se në prill do t’i marrin shtesat edhe për dy muajt që lamë pas.
“Ne si sindikatë kemi informacion që Qeveria ka marr vendim që në muajin prill me i paguar shtesat që nuk janë paguar për muajin shkurt dhe mars për policët në rrezikshmëri dhe stafin civil që janë në kuadër të policisë”, tha Zeqiri për “Enigmën”.
Tutje ai ka njoftuar se “nëse nuk merret ky vendim ne si sindikatë do të veprojmë sipas kërkesave të policëve”, duke mos specifikuar qartë hapat që pritet ti ndërmarrin./GAZETA ENIGMA/