Gazetari i njohur Valon Syla, mbrëmjen e djeshme është sulmuar nga tre persona, me ç’rast është trajtuar në QKUK pas lëndimeve në kokë, raporton Gazeta Enigma.
Syla në një deklaratë u shpreh se sulmi ndaj tij ishte si shkak i një video që ai e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, ku ka “thumbuar”, hoxhën Mazllam Mazllami i cili ka publikuar një veturë dhuratë të tipit Mercedes.
“Sulmi ndodhi nga tre islamik fanatik, të cilë më sulmuan shpejtë e shpejtë dhe kanë ik”, ishin fjalët e Sylës.
Lidhur me këtë rast ka reaguar juristja e medias, Flutura Kusari e cila e ka cilësuar dështim të institucioneve për sigurinë e gazetarëve.
Ndërkaq, Gazeta Enigma ka kontaktuar me ekspertin e Sigurisë Drizan Shala, lidhur me sulmin ndaj gazetarit dhe sigurinë e kësaj kategorie në vend, pasi që nga Prokuroria është cilësuar “lëndim i lehtë trupor”.
Sipas tij hetimet duhet të vazhdojnë për të parë mos sulmet e tilla kanë ndonjë prapavijë terroriste.
“Sulmi ndaj z.Syla duhet të hetohet tutje, për të parë se personat a kanë ndonjë prapavijë terroriste që ndërlidhet me deklarimin për ish-imamin e Prizrenit që ka qenë i dyshuar për nxitje për bashkim në luftën në Siri në kuadër të ISIS”, tha Shala për Enigmën.
Ky sulm ndaj gazetarit Syla ngjalli reagime edhe nga sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili kërkoi nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrat Sveçla e Haxhiu të dënojnë publikisht sulmin ndaj Sylës.
“I bëj thirrje kryeministrit Albin Kurti, ministrit Xhelal Sveçla dhe ministres Albulena Haxhiu që ta dënojnë publikisht sulmin dhe ta bëjnë të qartë se sulme të tilla ndaj një gazetari janë të papranueshme. Më duket shqetësuese heshtja e tyre. Liderët politikë kanë për detyrë të dënojnë publikisht sulme të tilla”, ësht♪ shprehur Gutierrez.
Ai potencoi se politikbërësit duhet të reagojnë përndryshe bëhen palë me sulmuesit.
“Bashkë me bashkëpuntorët tanë të AGK-së i bëj thirrje edhe policisë që të bëjë një hetim serioz dhe organeve të drejtësisë që të identifikojnë kriminelët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë dhe të shqiptojnë dënimet maksimale. Politikbërësit duhet të kenë guximin për të vepruar. Të qëndrosh pasiv do të thotë të jesh bashkëpunëtor i sulmuesve”, përfundoi ai.
Ndërkohë, kryeministri i vendit Albin Kurti e cilësoi të papranueshëm sulmin ndaj gazetarit Syla.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë ka kërkuar nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast seriozisht që autorët të vihen para drejtësisë “sa më parë”.
“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, tha Kurti./GAZETAENIGMA/