Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu i Kosovës përpara zgjedhjeve të 23 prillit. Ai për KosovaPress ka theksuar se shtyrja e dytë e këtyre zgjedhjeve është e paarsyeshme. Sipas tij institucionet duhet të kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre ligjore e kushtetuese.
Kreu i legjislativit u ka bërë thirrje për qetësi të gjithë qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.
“Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë dite është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit”, ka deklaruar Konjufca për KosovaPress.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të argumentojnë se në vend funksionon rendi, ligji dhe Kushtetuta.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës.