Gjatë qëndrimit në Uashington për takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u pritën nga përfaqësues të lartë të të dyja institucioneve financiare.
“Në kuadër të takimeve me Bankën Botërore, Bislimi dhe Murati u takuan me Shefen Menaxhuese të Operimeve, znj. Anna Bjerde dhe Zëvendës Shefen për Evropë të Bankës Botërore, znj. Antonella Bassani. Diskutimet përgjatë takimeve u fokusuan rreth situatës ekonomike globale e asaj vendore”.
“Një theks i veçantë iu dha planit zhvillimor të Qeverisë së Kosovës, si dhe projekteve aktuale dhe të mundshme me Bankën Botërore mbi investime infrastrukturore që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas njoftimit, Bislimi dhe Murati takuan zëvendës shefin menaxhues të FMN-së, Bo Li dhe Shefin e FMN-së për Evropë, Alfred Kammer.
“Kosova do të jetë shteti i parë në Evropë që do të përfitojë nga instrumenti më i ri i FMN-së për qëndrueshmëri, i ashtuquajturi “Resilience and Sustainability Trust”. Ky lajm vjen pas negociatave të Qeverisë me FMN-në gjatë vizitës së FMN-së në muajin mars në Kosovë”.
“Programi i ri i FMN-së në Kosovë përfshin vënien në dispozicion të deri në 260 milionë euro, prej të cilave 100 milionë euro do të jenë në formë të mbështetjes buxhetore, ndërsa 80 milionë euro do të vihen në dispozicion për investime në ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë me erë dhe diellore, me mundësi zgjerimi edhe për 80 milionë euro të tjera”.
“Takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar mbledhin së bashku ministra të financave dhe ekonomisë, parlamentarë, akademikë, si dhe përfaqësues të bankave qendrore, sektorit privat dhe shoqërisë civile për të diskutuar çështjet me interes global në fushën e zhvillimit ekonomik”, thuhet tutje në njoftim.