Dëshmitari i radhës i paraqitur në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se marrëdhëniet e UÇK-së dhe LDK-së “nuk ishin bash të mira”. Dëshmitari i cili tha se ishte anëtar i LDK-së dhe gjithashtu pjesë e UÇK-së tha në dëshminë e tij se ka pasur presione që LDK-ja “ta pushojë aktivitetin në Malishevë”.
LDK-së me njësitet në Malishevë, edhe pse ishin një masë e madhe të kyçur. Por nuk kanë qenë edhe bash raportet e shëndosha, sepse vazhdimisht ka pasur presione që LDK ta pushojë aktivitetin në Malishevë”, tha dëshmitari.
I pyetur se kush e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha: “E ushtronte drejtoria politike e UÇK-së që ishte në Malishevë”. “Drejtoria politike a kishte komandant?”, pasoi pyetja. “Për Malishevë ka qenë Gani Krasniqi”, u përgjigj dëshmitari.
Njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi ka komentuar për Sinjalin këtë deklaratë, duke thënë se “ai që e ka thënë, kur t’i vjen puna le ta thotë që kanë qenë marrëdhëniet e kqija më së pari te unë”.
“Ai, kush ka thënë, unë jam ndër themeluesit e parë të UÇK-së në Kosovë dhe në pjesën e Malishevës Ai që ka thënë, kur t’i vjen puna le ta thotë që kanë qenë marrëdhëniet e kqija më së pari te unë. Unë atëherë në kuadër të LDK-së kam qenë kryetar i këshillit të financave dhe nuk dua të merrem me atë, sepse ai duhet të mi thotë mua. Në kohën kur ka filluar lufta nuk ka pas më parti – ka pas UÇK, mbështetës të çlirimtarëve edhe kështu”. u shpreh Krasniqi për Sinjalin.
Ai shtoi se gjithnjë do të përballet me të vërtetat në lidhje me luftën e UÇK-së.
“Gani Krasniqi kurrë nuk është fshehë as nuk fshehet. Krejt jetën e kam pas luftë, edhe tash e kam luftë. Luftë për ta ndërtuar shtetin, për ta bashkuar kombin“, tha ai.
Krasniqi në vitin 2019 ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
I pyetur se a do të dëshmonte sërish, ai tha se “natyrisht se do ta jap dëshminë time. Unë mezi pres për ta vazhduar dëshminë që e kam dhënë kohë më parë”.
Ndër të tjerash, ai u shpreh se Gjykata Speciale është gjykatë politike dhe se nuk beson në drejtësinë e saj.
“Po të isha pyetur unë, për mua kjo gjykatë nuk do të kishte egzistuar sepse është gjykatë politike e njëanshme. Këtë e kanë themelu pikërisht këta që janë atje edhe e ka themelu Kuvendi im, ka gabu“, përfundoi Gani Krasniqi për Sinjalin.
Ndryshe, në Gjykatën Speciale po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Sot, sikurse edhe javën e kaluar është vazhduar me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.
Gjatë javës së kaluar për tri ditë radhazi, ka folur dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Seancat e saja kanë qenë të mbyllura për publikun.