Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke folur për zgjedhjet e së dielës në veri, tha se dje është shënuar fillimi i fundit të ndikimit nga Serbia në Kosovë.
Sipas saj, përpjekjet për formimin e institucioneve nuk do të jenë të lehta, por konform ushtrimit të mandateve në nivelin lokal.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila ka dështuar si shkak i mungesës së kuorumit, ajo tha se situata në veri është komplekse dhe e karakterizuar me ndikimet e mëdha kriminale.
“Dje ishte një ditë e cila shënon fillimin e fundit të një procesi apo të një vazhdimësie të keqe të organizimit politik të ndikimit nga Serbia në Kosovë, përmes Listës Serbe. Dhe tashmë gjitha përpjekjet natyrisht që nuk do të jenë të lehta, do të jenë me shumë sfida por do të jenë konform ushtrimit të mandateve në nivelin lokal, ashtu siç është e përcaktuar me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Zgjedhjet kanë qenë të organizuara për aq sa ka pasur hapësirë për t’u organizuar në kuptimin e mungesës së normalitetit në veri, tashmë e më shumë se dy dekada. Por, nuk është kontestuar nga ana e shtetit, apo nuk është cenuar e drejta e askujt për të marrë pjesë. Sfidë ka qenë dhe mbetet siguria e individëve dhe përfaqësuesve politik që kanë mendim tjetër të Listës Serbe dhe Vuçiqit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo tendencë e Serbisë është vërejtur edhe dje me prezencën e komisionerëve të Listës Serbe.
“Prezenca e komisionerëve të Listës Serbe në vendvotime dhe përcjellja e të gjithë atyre që do të votojnë dhe votojnë për të persekutuar pastaj është veprim i cili duhet të dënohet dhe natyrisht edhe pasojat, të cilin duhet t’i bartin edhe politikisht edhe ligjërisht të gjithë ata që vazhdojnë me kërcënime të komunitetit serb”, shtoi Kusari-Lila.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore, i cili tha se qytetarët në veri kanë vendosur të shndërrohen në instrument të Beogradit.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se Qeveria e Serbisë ka vendosur të minojë të ardhmen e serbëve të veriut.
“Në si GP i PDK-së e dimë gjendjen në atë pjesë dhe nga çfarë komuniteti shumicë përbëhet ajo pjesë e territorit të Kosovës. Ka qenë obligimi ynë qytetar, që me aq sa ka votues dhe qytetarë shqiptarë që ka në atë pjesë, tu ofrohet kandidatëve dhe pavarësisht rezultatit që mund të jetë, të jemi në garë dhe të mbajmë të angazhuar politikisht ata qytetarë që jetojnë në atë pjesë të Republikës së Kosovës. Ne fatkeqësisht e shohim një angazhim të madh të shtetit serb në atë pjesë të Kosovës, një manipulim të madh që është duke ua bërë qytetarëve serb. Pra, siç duket, Qeveria e Serbisë ka vendosur që është pak atë të ardhme që kanë pasur ata qytetarë t’ua minojë dhe t’i keqpërdor jashtëzakonisht shumë. Ata nuk shohin nga e ardhmja, sepse normalisht do të duhej të merrnin pjesë në zgjedhje. Mirëpo, ata kanë vendosur të shndërrohen në një instrument të Beogradit. Nuk na gëzon fakti qe kemi një situatë siç e kemi, ne dimë ta dallojmë legjitimitetin nga legaliteti”, tha Tahiri.
Gjatë ditës së djeshme janë organizuar zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Nga mbi 45 mijë qytetarë sa kanë pasur të drejtë vote, vetëm mbi 1500 e kanë ushtruar vullnetin e tyre. /kp/