Lionel Messi do të largohet me parametër zero në fundin e këtij sezoni nga Paris Saint-Germain.
Argjentinasi dhe francezët nuk do të vijojnë bashkëpunimin pas mosmarrëveshjeve të fundit me “pleshtin” që është gjithnjë e më shumë pranë një rikthimi te Barcelona.
Edhe pse në fakt, katalanasit do t’i duhet të garojnë me sheikët nga Arabia Saudite, Al Hilal të cilët i kanë propozuar Messit plot 400 milionë euro në sezon. Gjithsesi, Barça shpreson tek nostalgjia e sulmuesit për ngjyrat blaugrana teksa për të afruar Messin do të duhet të bëjë disa sakrifica të cilat i ka sqaruar sërish presidenti i LaLigas-s, Javier Tebas.
Ky i fundit thekson se për të firmosur me Messin, Barcelona fillimisht duhet të shesë dhe nga ana tjetër, vetë 35-vjeçari duhet të pranojë një pagë inferiore nga ajo që përfiton në Paris.
“Nëse Barcelona firmos me Messin, atëherë ju siguroj se sulmuesi do të përfitoj një pagë më inferiore nga ajo që përfiton te PSG. Rikthimi i Messit te Barça është i kushtëzuar edhe nga shitja e lojtarëve. Katalanasit duhet të shesin dhe sipas këndvështrimit tim, Barcelona mund të marrë një shumë të majme nga largimi i disa lojtarëve”, u shpreh Tebas.