Me viza drejt shteteve evropiane, kosovarët festojnë Ditën e Evropës

Me viza drejt shteteve evropiane, kosovarët festojnë Ditën e Evropës


Ishte viti 1950, kur me një deklaratë të përbashkët midis Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Italisë, Holandës dhe Luksemburgut u hodhën hapat e parë drejt krijimit të unionit, që sot njihet si Bashkimi Evropian, shkruan Gazeta Engima.

Ministri i Jashtëm i Francës i asaj kohe, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

E ardhmja e Kosovës në BE?  

Që nga shpallja e pavarësisë, Dita e Evropës shënohet edhe nga Kosova, e cila synon integrimet dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian – gati 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Më 14 dhjetor, tre udhëheqësit e shtetit nënshkruan dokumentin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Një ditë më pas, ditë historike e quajti, shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili dorëzoi aplikimin në Çeki, vend ky që në këtë kohë kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.

Aplikimi ishte vetëm hapi i parë i këtij procesi e që duhen vite të tëra kohë si dhe varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Deri më tash Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Por, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se Kosova ende ka rrugë të gjatë për të bërë para se të anëtarësohet në BE.

Kosovarët lirohen nga grilat

Në prill të këtij viti Kosova shënoi progres në drejtim të udhëtimit pa viza nëpër shtetet e Evropës.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është botuar në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Me këtë veprim përmbyllet edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 – prej kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Vendimi i botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së është ai që u nënshkrua më 19 prill nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.

Në vendim shkruan se “përjashtimi nga nevoja për viza”, pra liberalizimi, nuk mund të zbatohet para nisjes operacionale të sistemit të udhëtimit në Evropë – ETIAS, apo deri më 1 janar, 2024.

Kjo do të thotë se, nëse funksionalizimi i ETIAS-it shtyhet përtej 1 janarit, 2024 – gjë që edhe pritet të ndodhë – hyrja në fuqi e liberalizimit nuk do të shtyhet përtej asaj date. / Gazeta Enigma.

Related Articles