Volejbollistja Venera Kadriu rrëfen se si arriti që të njëjtën kohë edhe t’i vazhdonte studimet edhe t’i ndihmoj Dritës që të shpallet kampion

Volejbollistja Venera Kadriu rrëfen se si arriti që të njëjtën kohë edhe t’i vazhdonte studimet edhe t’i ndihmoj Dritës që të shpallet kampion

Në moshën 11-vjeçare e nisi rrugëtimin e saj në volejboll për t’u shndërruar në njërën prej volejbollistëve më të mira në Kosovë, e ajo është Venera Kadriu nga Gjilani e cila i mbron ngjyrat e KV Dritës.

Volejbollistja e lindur në vitin 2000, prej moshës 11-vjeçare deri në vitin 2018 nuk iu nda ngjyrave “bardhekaltër” të Dritës, por në vitin 2018-të iu deshtë që të largohej nga Kosova për ta vazhduar jetën në Amerikë për studime për pesë vite radhazi.

Përveç studimeve, Venera Kadriu nuk iu nda volejbollit, ajo për pese vite radhazi u paraqit për skuadrën e Northëood Volleyball.

Gjilanasja Venera Kadriu në një intervistë për Gazetën Enigma ka rrëfyer për jetën e saj në të cilën prej moshës 11-vjeçare volejbolli është pjesë e pandalshme e saj. Ajo po ashtu ka rrëfyer për emocionet që ka përjetuar në Amerikë larg vendit të saj, Gjilanit dhe kujt ia dedikon këto suksese në karrierën e saj.

23-vjeçarja tregon se për pesë vite sa ishte në studime ishte edhe pjesë e Northwood Volleyball, por aty diplomoi dhe e përfundoi sezonin në vjeshtë.

Unë isha me fat që mu dha rasti të marrë një vit të pestë të studimeve dhe vazhdimisht të vitit të fundit në volejboll. Kështu që në nëntor të vitit të kaluar luajta sezonen e fundit dhe diplomova në ekipin Northwood Volleyball e cila u përfundoi për mua” tregon ajo fillimisht për Gazetën Enigma.

Trajneri i KV Dritës, Lorik Ilazi ishte në dijeni që Venera i përfundonte garat me skuadrën amerikane në sezonin vjeshtor dhe i kishte bërë ofertë që të kthehej për sezonin pranveror, ofertë të cilën 23-vjeçarja e pranoi.

Këtë fakt e ka ditur edhe trajneri Lorik Ilazi i cili ka qenë trajneri im para se të shkoja në Amerikë. Ai më ka monitoruar dhe më ka pyetur në verë të vitit të kaluar nëse isha e interesuar që pasi t’i përfundoja lojërat në Amerikë të kthehesha për kohën e lojërave të Kupës dhe play off-it të cilat fillonin në janar të këtij viti. Sigurisht që unë pranova pasi që semestrin e pranverës në Amerikë e kisha të fokusuar vetëm te diplomimi dhe studimet”, zbulon volejbollistja gjilanase.

Zemra i thoshte që të kthehej në vendlindje që t’i përjetonte përsëri emocionet me KV Driten në parket, por sfiduese ishte që t’i bindte dekanin e shkollës që pjesën tjetër të studimeve t’i bënte online 100 %.

Fillimisht isha shumë në presion që planet e mia për t’u kthyer në vendlindje nuk do të funksiononin, por dëshira e madhe që të jem pjesë e KV Dritës prapë dhe me ndihmën e këshilltares time akademike arritëm ta bindnim dekanin e shkollës dhe krerët e tjerë zyrtar që unë shkollën ta vazhdoja online 100%. E vërteta qëndron që unë arrita që t’i vazhdoj studimet online duke qëndruar në Kosovë për të luajtur volejboll për klubin tim të zemrës, KV Dritës”, zbulon ajo për Gazetën Enigma.

Venera u kthye në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar për ta fituar Kupën e Kosovës dhe titullin kampionit.

Në fillim të dhjetorit, të vitit të kaluar unë mora fluturimin për të ardhur në Gjilan, në shtëpinë time për të luajtur për Dritën dhe njëkohësisht studioja online. Të njëjtën kohë i bëja dy gjëra njëkohësisht edhe luaja volejboll edhe studioja, të dyjat shkonin më mirë se sa e kam pritur. Në volejboll u pozicionuam në vendin e parë në renditjen e rregullit të sezonit, triumfuan në Kupën e Kosovës dhe pastaj u shpallëm kampion në Superligën e Kosovës”.

Volejbollistja gjilanase zbulon për Gazetën Enigma se 7 maji ishte një datë e veçante e përplotë emocione për të, pasi po atë ditë arriti të diplomoj dhe të luante në ndeshjen e dytë finale të play-offit.

Edhe studimet i vazhdova me sukses, pasi më 7 maj arrita të diplomoj, është një fakt interesant që po atë ditë e luanim lojën e dytë të play offit ndaj Skenderajt, mirëpo arrita që edhe të diplomoj edhe të luaj. Jam e lumtur dhe ndjehem me fat që kam pasur këtë mundësi, t’i bëja të dy gjërat që i doja më së shumti”, zbulon ajo për Gazetën Enigma.

23-vjeçarja tregon se si shkuan pesë lojërat finale për KV Dritën që nga loja e parë që u zhvillua në Gjilan e deri te e pestë e cila po ashtu u zhvillua në palestrën “Bashkim Selishta” në Gjilan.

Kadriu thotë se ndryshimi i strategjisë së KV Skenderajt bëri që ta humbusnin lojën e parë.

Në finale ne e pritëm Skenderajn në Gjilan, atmosfera ishte e mirë dhe me potencial që ne të merrnim fitoren e parë në shtëpinë tonë. Por, volejbolli është një lojë me strategji dhe kundërshtari ishte përgatitur për finale dhe kishte ndryshuar strategji. Ky ndryshim i strategjisë na bëri neve që të fokusoheshim më shumë si t’i përballojmë ndryshimet që ata kishin bërë dhe të fuksoheshim më shumë si ta përballonim ndryshimet që kishin bërë ata sesa të fokusoheshim në lojën tonë. Me këtë erdhën gabimet tona teknike nga stërmundimi”, tregon ajo se si e humbën lojën e parë nga KV Skendraj.

KV Drita e kishte humbur edhe lojën e dytë, e cila u luajtur në Skenderaj, vashat drenicase shkuan në seri 2:0.

Ne filluam ta analizojmë edhe më shumë lojën e ekipit kundërshtar, por për shkak të kohës së shkurtër që e kishim për ndeshjen e dytë, menjëherë pas dy ditëve në Skenderaj, u mposhtëm pasi ata e kishin avantazhin e fushës dhe tifozërinë”.

Për Venera Kadriun, pika e kthesës për KV Dritën ishte te loja e tretë në palestrën “Bashkim Selishta” në Gjilan.

Pika e kthesës ishte te loja e tretë, para tifozëve tanë në palestrën “Bashkim Selishta” në Gjilan. Atë ditë ishte një atmosferë e jashtëzakonshme nga publiku dhe ne e kishim bërë analiza nga lojërat e kaluara në mënyrë që të përmirësoheshim për këtë ndeshje”, tregon ajo me emocione për Gazetën Enigma.

Loja e tretë nisi fuqishëm për neve, pasi i fituam dy setat e parë bindshëm, por në volejboll kurrë nuk i dihet, pasi ekipi mund të pësojë krizë në aspektet e sulmit, shërbimit apo pranimit, që janë elemente kyçe. Pikërisht ajo na ndodhi neve, pasi kundërshtari u rikthye në lojë duke i fituar dy seta në 2-2, seti i pestë ishte ai që do ta përcaktonte fatin e dy ekipeve”, vazhdon tregimin volejbollistja nga Gjilani.

Momenti i rikthimit të setit të pestë në lojën e tretë ishte poteza në të cilin e dinim se kemi filluar të ecim drejt rrugës së titullit kampion”, tregon ajo.

KV Drita arriti që ta mbroj titullin e kampionit me pese ndeshje finale të cilat ishin të zjarrta si asnjëherë më parë.  Për Venera Kadriun mbrojtja e titullit të kampionit këtë vit ishte i veçantë, pasi u kthye nga Amerika te klubi i saj i zemrës.

Të mbrosh titullin e kampionit është ndjenjë e veçantë,  këtë edicion ishte edhe më speciale pasi u riktheve te klubi i zemrës, pas pesë viteve që isha në Amerikë. Drita u shpall kampione për herë të parë në vitin 2016-të, ku edhe po luaja, por në një pozitë tjetër. Duke e parë klubin dhe vetëm që po rritshmi ishte një kënaqësi shumë e madhe dhe më bënte të ndjehem krenar pse kam zgjedhur këtë klub”, tregon ajo.

Herën e fundit që ishte shpallë kampione me Dritën, ishte viti 2018-të, po ai vit që kishte udhëtuar për në Amerikë për studime. Ajo tregon gjatë gjithë kohës sa ishte në Amerikë i mbante kujtimet me veti me shumë fanatizëm.

Herën e fundit që isha kampione me Dritën ka qënë viti 2018-të, ishte një finale e cila shkoj deri në lojën e fundit, ishte po ai vit që unë do të udhëtojë për në Amerikë. Kjo më mbeti si kujtim, kujtim të cilin unë e mora me vete dhe e kisha në mendje vazhdimisht. Të gjithë ato kujtime me Dritën deri në vitin 2018-të më kanë mbetur në zemër dhe desha t’i përjetoja përsëri”, tregon ajo.

Ajo thotë se titulli i shtatë në histori të klubit KV Drita ka një kuptim të madh për të.

Titulli i shtatë në histori të klubit do të ketë një kuptim domethënës për mua dhe për të gjithë që na kanë ndjekur për arsye se ky sport, po vjen duke u rritur në çdo vit. Kjo ka qenë dëshira im e para që ta realizoja, të bën një kontribut që të gjithë të rinjtë ta pëlqenin sportin ose të merren më të, të mos ndalen kurrë duke besu që t’i realizojnë endërrat e tyre”, tregon ajo.

Në ndeshjen e katërt, në setin e parë, Venera Kadriu pësoi një lëndim duke e ndrydhur kyçin e këmbës së majt, por as lëndimi nuk e pengoi që ta vazhdonte lojën deri në fund.

Unë u lëndova në ndeshjen e katërt në setin e parë ku e ndrydha kyçin e këmbës së majt, por fatmirësisht duke marrë parasysh eksperiencën time isha vetëm se e përgatitur për këtë gjë, por edhe lëndimi nuk ishte serioz”, zbulon ajo për Gazetën Enigma.

Sigurisht që ishte një pengesë pasi ndodhi në fillimin e lojës së parë, por është e zakonshme që lojtarët të lëndohen gjatë finaleve. Unë me dëshirën e madhe që ta fitonim këtë ndeshje, kjo pasi loja tjetër do të luhej superfinalja në Gjilan, u mundova që mos të vihem re dhe menjëherë sigurova që këmbën ta lidhja shpjet dhe ta vazhdoja lojën”, tregon ajo.

Pasi fituam në Skenderaj, nuk kisha kohë për të menduar për pengesat që lëndimi do të sillte, por mendoja si të shërohesha sa më shpejt pasi loja tjetër ishte pas dy ditëve. Me konsultimin e fizioterapeutit tim, Ervin Meqikukiqi arrita që të isha e gatshme për lojen finale në Gjilan”.

Drita u bo kampion i Kosovës për sezonin 2022/2023 me pikën e fundit të njohur si “Championship point” e të cilën e kishte Venera Kadriu.

Fati ishte me mua që topi i fundit të më përkiste mua apo I njohur si “Championship point”, në mendjen time e kisha vetëm sit ë shënoja pikë. Pas pikës përfundimtare isha e lehtësuar dhe e lumtur që do ta kem rastin të festoj me ekipin tim, në vendlindjen time, titullin e ri kampion”, tregon ajo.

E pyetur se cilat janë planet e Venerës pas përfundimit të sezonit të rregullt në volejboll, ajo tregon se do të kthehet që të jetojë në Amerikë deri në fund të vitit.

Ajo tregon se po e jetëson ëndrrën e saj e cila ka qenë që t studioj në Amerikë, por për Venerën, primare është jeta në Evropë, ajo të gjitha të arriturat deri tani ia kushton nipit të saj, (djalit të motrës), fakt i cili e shtyn që të jetojë në Zvicër pranë tij.

Pas finales do të kthehem në Amerikë, ku do të qëndroj deri në fund të këtij viti, pasi do ta mbroj temën e diplomës duke e përfunduar kapitullin e ëndrrës time amerikane. Që në fillim Amerika për mua ka qenë një eksperiencë dhe ëndërr që unë nuk do e lija pa e realizuar, por mendoj që unë i përkas Evropës, më përkatësisht afër nipit tim të cilit ia dedikoj të gjitha të arriturat deri tani”, tregon ajo për Gazetën Enigma.

Kadriu ka ofertë të shumta nga ekipet evropiane, por deri tani nuk ka vendosur se ku do ta vazhdoj karrierën e saj.

Unë kam marrë oferta nga ekipit Evropiane, por ende nuk kam marrë vendim përfundimtar pasi dua që t’i lë opsionet e hapura. Po sigurisht që dëshira ime është që të jetoj në Zvicër më afër familjes dhe pse jo të luaj atje. Faktikisht si një opsion që ia mundësova vetës ishte të aplikoj për një master tjetër në Lucern t’i vazhdoja studimet part time dhe t kem mundësinë të qëndroja dhe të jetoja aty”, tregon ajo.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles