Shtëpia e Bardhë bën një apel të fortë për Kosovën dhe Serbinë

Shtëpia e Bardhë bën një apel të fortë për Kosovën dhe Serbinë

Zëvendës-këshilltari i parë i SHBA-së për Sigurinë Kombëtare, John Feiner, ka biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në biseda të ndara, u ka bërë thirrje palëve që të ndërmarrin hapa për de-përshkallëzimin e situatës.

Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, Feiner ka theksuar shqetësimin e SHBA-ve për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale.

Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar në krijimin e kushteve për zgjedhje të reja.

Në një deklaratë të veçantë, thuhet se në një bisedë me Vuçiqin, Fajner i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje demonstruesve që të qëndrojnë qetë në veri të Kosovës.

Zyrtari amerikan përsëriti se SHBA pret që të dyja palët të riangazhohen në Dialogun e mbështetur nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër më parë këtë vit.

Related Articles