Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përshkallëzimi në veri, erdhi si pasojë e dhunës nga grupet fashiste të cilat janë pjesë e listës së pagave të Serbisë.
Sipas Kurtit, të njëjtit, janë po ashtu edhe pjesë e listës së pagave edhe të kompanive private të personave të cilët janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe.
Kjo u bë e ditur në një kumtesë nga qeveria, në të cilën njoftohej për diskutimin që pati në një telefonatë, kryeministri Albin Kurti, me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
”Në lidhje me situatën në tri komunat në veri të vendit, kryeministri e njoftoi për procesin zgjedhor që solli deri tek zgjedhja e katër kryetarëve të ri, bojkotin e zgjedhjeve nga serbët e Kosovës me kërkesë dhe presion të Serbisë dhe pranimin e këtij procesi e rezultati zgjedhor nga komuniteti ndërkombëtar”.
Madje Kurti gjatë diskutimit, ka dhënë në detaje hapat që do shënonin deeskalimin e situatës, duke përmendur edhe arrestimin e të dyshuarve që shkaktuan dhunën, transmeton ‘klankosova.tv’. ”Ai [Albin Kurti] shtoi se hapi i parë për de-përshkallëzim është përfundimi i menjëhershëm i dhunës ndaj institucioneve të sigurisë, arrestimi i atyre që shkaktuan dhunë dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike deri në zgjedhje të reja”.