Nga Kosova kërkojnë që ndërkombëtarët ta shtojnë presionin më shumë ndaj Serbisë për tensionet në veri

Nga Kosova kërkojnë që ndërkombëtarët ta shtojnë presionin më shumë ndaj Serbisë për tensionet në veri

Të hënën në mbrëmje Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i priti në zyrën e tij dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, ku tem e diskutimit ishte qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog, këto ishin tre kërkesat e këtyre dy të fundit, shkruan Gazeta Enigma.

Përveç takimit me Kurtin, Escobar dhe Lajçak sot do të takohen me presidenten Osmani dhe pastaj do të udhëtojnë për në Beograd.

Qëllimi i këtyre vizitave në Prishtinë dhe Beograd është për ta gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në këto komuna, serbë lokalë po protestojnë rregullisht prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, pas takimit trepalësh mbrëmjen e 5 qershorit.

Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.

Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim, i cili zgjati mbi dy orë, si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.

Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.

“Shpresoj se do njoftojmë për lajme të mira në fund, por nuk kemi arritur atje ende”, tha Lajçaku.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeminisrit të Kosovës, thuhet se kryeministri Kurti shprehu “gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Analisti politik, Gazmir Raci në një bisedë për Gazetën Enigma e ka komentuar takimin e mbrëmshëm mes Escobarit dhe Lajçakut me kryeministrin Albin Kurti. Ai thotë se atë që po e bën Kurti për shqiptarët në veri të vendit deri tani nuk e kanë bërë asnjë qeveri apo parti politike në të kaluarën.

“Është momentum i ri për të adresuar sfidat në shtrirjen e sovranitetit dhe sundimin e rendit dhe ligjit edhe në pjesën veriore. Problemet në atë pjesë asnjëherë nuk janë trajtuar në mënyrë serioze dhe qasje profesionale nga asnjë qeveri apo parti politike në të kaluarën. Për herë të parë kemi angazhim konkret për të krijuar ambient të qetë dhe të sigurt për ata banorë sepse atje ende ka grupe kriminale që dirigjohen nga Vuqiqi përmes Radojqiqit dhe Veselinoviqit”,  shprehet Gazmir Raci për Gazetën Enigma.

Raci tregon se sa janë të arsyeshme kërkesat e Escobarit dhe Lajçakut.  Ai thotë se komuniteti ndërkombëtarë kësaj radhe duhet të jetë me i vendosur në rarport me Serbinë, pasi ishin ata serbët që e sulmuan KFOR-in në veri.

“Tashmë kë propozime konkrete si të dilet nga kjo situatë, më rëndësi është që nuk duhet të ketë dialog për rend dhe ligj, aty duhet të jemi të gjithë së bashku dhe pa kompromis. Unë e kam konsideruar si plan ambicioz por natyrisht komuniteti ndërkombëtare kësaj radhe duhet të jetë më i vendosur në raport me Serbisë sepse në veri u sulmuan edhe forcat paqëruajtëse të NATO-së që janë në Kosovë si KFOR andaj tashmë hapur dihet se kush çka bënë dhe si vepron në pjesën veriore”, thotë analisti Raci për Gazetën Enigma.

Sipas Racit, propozimet e komunitetit ndërkombëtarë duhet të trajtohen seriozisht dhe i duhet një plan konkret qeverisë për integrimin e serbëve në veri të vendit.

“Mendoj që propozimet e komunitetit ndërkombëtarë duhet të trajtohen seriozisht dhe unë kam kërkuar poashtu që për integrim të asaj pjesë qeveria duhet të përgatisë edhe një plan konkret të integrimit socio-ekonomik”, vlerëson analisti Raci.

Analisti Raci insiston se Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti duhet që të bëhen së bashku me opozitën për të kaluar këtë sfidë të bashkuar.

Presidentja dhe Kryeministri poashtu është mirë të synojë një dakordancë edhe më partitë opozitare sepse sfida në veri nuk është vetëm për këtë qeveri por është sfide kombëtare e sigurisë së kësaj Republike andaj kërkohet unitet karshi tendencave të Serbisë për ta destabilizuar Kosovën por edhe synimet për ta invaduar edhe me ushtri sepse niveli i gatishmërisë së ushtrisë serbe ende vazhdon të jetë I lartë”, shprehet ai.

Zgjedhjet përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira qysh më 26 maj.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – është duke kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

Kosova, tash e dhjetë vjet, refuzon ta themelojë Asociacionin me arsyetimin se do të ndikonte negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.

Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Related Articles