Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, me të cilit bëhet e ditur se diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara.
Nga zyra e kryeministrit njoftojnë se Kurti theksoi që sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara.
“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, thuhet në kumtesën për media.
Kurti po ashtu falënderoi Abbottin për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në thellim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.