Ekspertët tregojnë se a është i dobishëm për Kosovën draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga Edi Rama

Ekspertët tregojnë se a është i dobishëm për Kosovën draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga Edi Rama

Ndërkombëtarët tash e sa ditë janë duke pritur një propozim nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Gazeta “Enigma”.

Një vendim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nxiti reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Më 8 qershor hov të madh mori propozimi i draft-statutit nga Edi Rama, i cili duket se po tenton t’i fus ‘hundët’ në këtë çështje mjaft të ndjeshme për Kosovën.

Rama këtë draft-statut i’a ka propozuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, pa diskutuar me ekzekutivin nga Kosova, ku deklaroi se nëse trupat e huaj do t’a marin veriun do t’ia hapte dyert shtetit të Kosovës.

Ndërkohë, nga Qeveria e Kosovës, akoma nuk janë deklaruar lidhur me draftin e propozuar nga Shqipëria.

Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, theksoi se Qeveria e Shqipërisë nuk duhet të flasë pa u konsultuar paraprakisht me Kurtin.

Edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka konsideruar këtë si ndërhyrje flagrante të Ramës në punët e brendshme të Kosovës.

Kundërshtim të madh ka nxitur edhe në Kosovë draft-statuti i propozuar nga Rama.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ai dokument para se të shkojë në Francë e Gjermani, duhet të jetë në Kosovë.

“Ai dokument nuk është për Francë, për Gjermaninë e shtete të tjera. Ai dokument është për Kosovën. Para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit’, deklaroi Kusari-lila.

Në të njëjtin qëndrim janë deklaruar edhe nga LDK-ja, ku shefi i Grupit Parlamentar Arben Gashi, tha për propozimin e draft-statutit të Asociacionit, kompetent është vetëm Qeveria e Kosovës.

“Të jemi të qartë e të saktë: kompetent për propozimin e statutit të Asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri një veprim të tillë nga kryeministri i Shqipërisë, e konsideroi si mungesë të komunikimit mes Kurtit dhe Ramës.

Megjithatë, ai ka theksuar se detyrat e Qeverisë së Kosovës duhet t’i kryejë kjo e fundit, që sipas tij, ekzekutivi kosovar nuk po e bën një gjë të tillë.

Ndër të tjera, ka pasur edhe eksponentë politikë të cilët e kanë mbështetur propozimin e Ramës për Asociacion.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tani deputet i PDK-së, e ka konsideruar hap të duhur veprimin e Ramës.

“Së pari mendoj që është një hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë dhe është mirë që të ketë edhe një dialog, jo vetëm politik të brendshëm në Kosovë, por edhe një dialog ndërshqiptar për atë që po ndodh në veri”, ka potencuar Hoxhaj.

Kurse, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, draftin e propozuar nga serbët e cilësoi si “Kalë të Trojës”, në Kosovë nëpërmjet Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe.

Por si e vlerësojnë një propozim të tillë nga një kryeministër i një shteti tjetër njohësit e çështjeve politike?

Analisti politik Gazmir Rraci, një propozim të tillë nga Rama e cilëson si “Open Ballkan’, ide të dështuar.

“Draftstatutin nuk e kam parë dhe nuk e di çka përmbanë. Ai dokument do ta këtë fatin e njejtë si Open Ballkan, ide e dështuar. Habitem me Edi Ramën si bënë projekt për Kosovën dhe nuk e konsulton lidershipin e vendit apo ndoshta ka mendu që me mbështetje të opozitës kosovare mund të imponojë zigjidhje, çasje totalisht e gabuar. Draftstatuti duhet të hartohet në Bruksel dhe tashmë konsideroj që i takon ndërmjetësve me dal me një propozim për të ecur tutje’, u shpreh Rraci për “Enigmën”.

I habitur është shprehur edhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare Shqiprim Pula, ku sipas tij një veprim i tillë nga Rama pa u konsultuar me Qeverinë e Kosovës, ishte befasues.

“Veprim befasues i kryeministrit Rama, lidhur me draftstatutin për Asociacion. Mbetet e panjohur, pse për një draft të tillë nuk është konsultuar Qeveria e Kosovës dhe t’i dorëzohet një kopje e draftit! Ishte vetiniciativë apo i’a kërkuan dhe kush? E konsideroj veprim befasues të kryeministrit Rama, mbi këtë draft statut, të gabuar dhe lehtësisht të manipulueshëm si temë”, theksoi Pula për “Enigmën”.

Ndër të tjera, politologu Fidan Ukaj, konsideron se kryeministri shqiptar nuk do të propozonte diçka që do t’i shkaktonte dëm Kosovës.

“Ashtu siç u deklarua Rama, deri më sot nuk e ka pa askush këtë draft, përveç atyre që i’u është dërguar, dhe mbetet të shihet në fakt se çka përmban ky draft i propozuar nga ana e kryeministrit të Shqipërisë. Mendojë se Rama nuk propozon diçka që i bën dëm Kosovës dhe mbetet të shihet se sa është i favorshëm për Kosovën”, deklaroi Ukaj për “Enigmën”.

Nga Bashkimi Evropian, kanë deklaruar se propozimi i draft-statutit nga kryeministri Rama, “teksti është i shkruar më shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë dhe se po analizohet me kujdes”.

Së fundi, zyra e kancelarit gjerman Olaf Scholz, ka konfirmuar pranimin e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin te  Scholzi dhe presidenti Macron, e dërgoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacioni më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2014, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon nga Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një etnik./GAZETAENIGMA/

Related Articles