Zëdhënësi i Shtabit, të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, në një konferencë për media, ka dhënë detaje për protestat në tri komunat e veriut të Kosovës.
Ai tha se trupat e KFOR-it, ishin aty për ta parandaluar një eskalim të mëtejmë të situatës, teksa shtoi se përvec protestuesve të qetë, kishte edhe grupe kriminale që i sulmonin ushtarët me armë të ndryshme.
“KFOR ishte aty për të parandaluar esklaimin e mëtejmë të protestës dhe më 29 një protestë e madhe u shfaq dhe ushtarët e KFOR-it ishin të përfshirë në atë protestë të dhunshme. Gjatë kësaj proteste, shumë ushtarë të KFOR-it ishin lënduar, disa ishin lënduar nga gurët e hedhur, mjetet shpërthyese të improvizuara…ishte e qartë se aty ishin njerëz që portestonin në një mënyrë të qetë por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre po fshiheshin disa grupe kriminale që përpiqeshin të sulmonin trupat. Pas kësaj proteste të madhe , shumë ushtarë nga kontigjenti Italian ishin lënduar nga shkopinj dhe gurë dhe mjete shpërthyese. Në fillim ishin 11 ushtar nga kontigjenti Italian dhe 19 nga kontigjenti hungarez. Në ditët në vazhdim akoma më shumë u shfaqën me lëndime të vogla”, tha ai.
Tutje, ai u shpreh se KFOR-i është i gatshëm të veprojë nëse ka eskalim të situatës në veri të vendit, teksa shtoi se të dyja palët, Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin problemet përmes dialogut.