Palmer: Duam ta shohim Kosovën të integruar në komunitetin evropian dhe euroatlantik

Palmer: Duam ta shohim Kosovën të integruar në komunitetin evropian dhe euroatlantik

Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në një intervistë, ka folur për vizitën treditore në Kosovë dhe porositë për udhëheqësit kosovarë.

“Mendoj se porosia thelbësore është të theksojmë dhe nënvizojmë natyrën e fortë dhe të qëndrueshme të partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. Ne e mbështesim perspektivën evropiane të Kosovës. Duam ta shohim Kosovën të integruar në komunitetin evropian dhe euroatlantik. I mbështesim qëllimet e qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar dhe promovimin e sundimit të ligjit. Duam të jemi aty si partnerë të fuqishëm. Përveç kësaj, e vizitova Prishtinën së bashku me Miroslav Lajçakun, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, përfshirë veçanërisht për dialogun. Përfaqësuesi i Posaçëm Lajçak dhe unë patëm dëshirë të theksojmë dhe nënvizojmë rëndësinë e angazhimit konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut, për të punuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të hapur derën drejt të ardhmes evropiane për popullin e Kosovës”, ka thënë Palmer.

I pyetur për bashkëpunimin ndërmjet SHBA-së dhe BE-së në procesin e dialogut dhe qëllimin e njëjtë, Palmer ka thënë se ata kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve, hapjen e perspektivës evropiane.

“Po punojmë në partneritet të fortë. Ky proces i dialogut udhëhiqet nga vetë palët, udhëhiqet nga Kosova, udhëhiqet nga Serbia, lehtësohet nga BE-ja dhe ka mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është porosi e mirë për Kosovën dhe Serbinë nëse na shohin Miron dhe mua krah për krah duke e mbështetur këtë proces”, ka theksuar ai.

Related Articles