Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se në vjeshtë potencialisht mund të ketë valë tjetër të COVID-19 në Kosovë. Ai ka shtuar se e vetmja mënyrë për ta parandaluar është vaksinimi masiv.
“Ne presim potencialisht edhe valë të tjera, sipas gjasave në fillimin e vjeshtës dhe e vetmja mënyrë për ta parandaluar një valë të re është vaksinimi. Tema e parë kur kemi ardhur në zyrat tona, kemi operuar si një trup dhe fokusi jonë ka qenë në sigurimin e vaksinave. Kemi filluar të kontaktojmë të gjitha kompanitë prodhuese. Fatkeqësisht në 2020 Kosova ka humbur në kohë në hapat e negocimit me kompanitë dhe ishte jashtëzakonisht e vështirë për ne të shpejtojnë në ritmet si donim ne”, ka thënë ai.
Vitia ka garantuar qytetarët se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60 për qind e popullatës mbi 18-vjeç.
“Garantoj qytetarët se deri në fund të 2021 do të vaksinojmë 60 për qind të qytetarëve mbi moshën 18-vjeçare”, ka thënë Vitia duke shtuar numri mund të rritet për shkak të sasisë së shtuar të vaksinave që do të vijnë.
Vitia të gjithë situatën e daljes publike të dokumenteve mes ministrisë e kompanisë Pfizer e ka quajtur dramatike. Kjo për shkak se, sipas tij, pati “rrezik potencial në kuptimin e problemeve të negocimit me kompaninë mund ta rrezikoj tërë procesin”./KOHA/