Janë thirrur protesta kundër Qeverisë nga shoqëria civile, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Protesta do mbahet me fillim nga ora 18:00.
Në njoftimin e publikuar, thuhet se protesta organizohet me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiç-in” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”.
“Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojiçiç-in kundër luftëtarëve të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”.
Sipas organizatorëve të protestës në fjalë, Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare.
“Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, thuhet mes tjerash në thirrjen për protestë.
Ndërsa, edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë të ditur se do të mbështesë protestën e ditës së shtunë të organizuar nga shoqëria civile kundër Qeverisë së Kosovës.
Pas mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se përveç vendimit të mbështetjes së protestës në fjalë, kjo organizatë është dakorduar që të pengojë seancat e Kuvendit të Kosovës, duke penguar që deputetët të futen në Kuvendin e Kosovës kur ka seanca Parlamenti.
“Kryesia morri vendim që të pengojmë seancat e Kuvendit të Kosovës, kur ata i kanë seancat ne do të dalim aty që t’i mos i lejojmë që t’i mbajnë sepse qëndrimet tona qysh nga viti i kaluar kanë qenë që nëse ata mendojnë që të na shkelin kështu, natyrisht që edhe ne do të organizohemi që t’i pengojmë që të mos funksionojnë”, ka theksuar Klinaku në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së.
“Është marrë vendim që të mundohemi t’i pengojmë çdo seancë të Kuvendit dhe me këtë rast iu bëjë thirrje gjithë veteranëve të luftës që në momentin që kur marrim vesh që këta i kanë seancat ne dalim aty dhe nuk i lejojmë të futen brenda”.
Ai ka paralajmëruar se OVL-UÇK po përgatit edhe protesta, të organizuara nga kjo organizatë për të kundërshtuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës përmes së cilës veteranët e UÇK-së mbeten jashtë pagës minimale që u votua në lexim të dytë, të enjten në Kuvendin e Kosovës.