Në atmosferën madhështore të Parisit, Distria do ta kërkojë sërish shkëlqimin olimpik

Në atmosferën madhështore të Parisit, Distria do ta kërkojë sërish shkëlqimin olimpik

Distria Krasniqi tashmë e ka vizituar arenën “Champ de Mars Arena” prej nga shihet shumë mirë Kulla e Eiffelit në Paris. Në këtë arenë me pamje të mahnitshme në kryeqendrën e Francës, Distria pas një viti do të kërkojë shkëlqimin olimpik. Ajo do ta kërkojë për herë të dytë medaljen e artë olimpike. Distria do të garojë më 28 korrik 2024.

Në lojërat olimpike “Tokio 2020”, të shtyra për vitin 2021, Distria fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Në “Parisi 2024” do të garojë në kategorinë deri 52 kg.

Më herët këtë vit Distria ishte në arenën ku zhvillohen garat e xhudos. E ftuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, Distria kishte bërë fotografi e video me yjet tjerë të xhudos. Ndër të tjera top-xhudistët kanë improvizuar edhe luftëra të xhudos. Madje Distria përballë e kishte edhe gjigantin francez, Teddy Riner.

Distria Krasniqi ka dhënë edhe një intervistë në arenën e xhudos, që është publikuar të enjten nga IJF-ja, një vit para garës në 48 kg.

“Nuk kam pritur që të jem kaq afër Kullës së Eiffelit. Është pamje e mahnitshme, vend i mahnitshëm. Më pëlqen ta vizitoj Parisin edhe jashtë garave, për pushime. Kështu që është shumë mirë ta kemi këtë pamje dhe të jem në Paris”, ka thënë Distria Krasniqi.

Ajo nuk ka fshehur synimet për tjetër medalje të artë olimpike. Do të ishte sukses shumë i rrallë.

“Po ushtroj fort, çdo ditë fort e më fort që ta mbroj titullin tim. Më pëlqen të fitoj me ‘o-soto-gari’. E kam mënyrën time për këtë teknikë. Kam shumë besim, e di çka mund të bëj. Edhe nëse humbi rrugës për në Paris, është gjithnjë mësim për mua. E pranoj secilën medalje, por do të tentoj të artën gjithnjë”, ka shtuar Krasniqi.

Ajo ka folur edhe për Unionin Evropian të Xhudos (EJU) lidhur me garën olimpike në Paris.

“Jam shumë e entuziazmuar që Olimpiada është vetëm një vit larg. Ka ardhur shumë shpejt, por po ndihem shumë e gatshme dhe e motivuar. Kam ende shumë gjëra për të përmirësuar dhe po punoj çdo vit për ta përmirësuar xhudon time. Fakti që jam në kategori tjetër më ka motivuar edhe më shumë për të fituar sërish medalje olimpike. Është sfidë për mua dhe mua më pëlqejnë sfidat”, ka thënë Distria.

Ajo pritet të jetë një prej pesë apo gjashtë xhudistëve të Kosovës në Lojërat e Parisit.

Related Articles