Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar organizim për të premten para Gjykatës Themelore në Ferizaj për të kërkuar “drejtësi për Marigonën”, në ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj vrasësve të saj.
Të premten mbahet seanca përfundimtare ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit.
“Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premtën para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të Gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”, thuhet në njoftim.
Kjo organizatë në njoftim e ka përshkruar në detaje aktakuzën e Prokurorisë ndaj Krivaqës dhe Sejdiut, duke shtuar se vrasjen nuk mund ta harrojë për shkak të dhunës mizore që u ushtrua ndaj viktimë.s
“Dhuna mizore të cilën e ushtroi Krivaqa me ndihmën e Sejdiut ndaj Marigonës deri kur e vrau dhe humbja e saj na e bën të pamundur të harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot nëse shteti do ta mbronte me kohë atë. Të indinjuar/a e me shumë dhimbje, ne mblidhemi këtë të premte dhe thërrasim në drejtësi për Marigonën”, thuhet tutje në njoftimin e organizatës, të cilët kanë paralajmëruar udhëtim të organizuar nga Prishtina.
Në 24 faqe është e përshkruar dhuna të cilën Prokuroria thotë se dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu ushtruan dhunë ndaj Marigona Osmanit. Në raportin e autopsisë së trupit të të ndjerës janë konstatuar lëndime gjithandej fytyrës e trupit.
18-vjeçarja ishte lënë në ambientet e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete në gusht të vitit të shkuar, derisa të dyshuarit kishin ikur. Sejdiu ishte arrestuar i pari nga Policia e Kosovës, derisa disa ditë më vonë autoritet arritën ta vënë nën pranga edhe Krivaqa. / Gazeta Enigma.