Kryeministri i Shqipërisë është kritik ndaj strategjisë së zgjerimit të BE, ndërkohë që thekson “premtimet e shkelura” dhe “cinizmin” e unionit për arsye populliste, shkruan sot gazeta më e madhe gjermane ”Bild”, që boton një intervistë ekskluzive me kryeministrin Edi Rama.
“Është një ambicie e dashur prej shumë kohësh nga vendet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për t’u bashkuar me Bashkimin Europian që t’u mundësojnë qytetarëve tanë të përfitojnë nga një treg i lirë dhe të marrin pjesë në këtë demokraci të madhe.
Më lejoni të qartësoj diçka: si kryeministër i Shqipërisë, unë e di që ne nuk jemi plotësisht gati të anëtarësohemi sot në Bashkimin Europian, as Maqedonia e Veriut ose pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor.
Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë në mënyrë që të bëhemi anëtarë. Por dy vendet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë përmbushur të gjitha, më tepër madje, kushtet e nevojshme për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin.
Një fillim i tillë i negociatave u vendos gjithashtu nga vetë Këshilli i BE në 2018, raporton ATSh, transmeton Gazeta Enigma.
Por, përpjekjet e popujve tanë nuk janë shpërblyer. Më e pakta që meritojmë tani është përgjigjja për pyetjen tonë “Pse?”
Kur Komisioni Europian kërkoi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të zbatonin disa reforma para se të fillonin negociatat, ne e bëmë këtë. Disa prej tyre, të tilla si reforma në drejtësi në Shqipëri, janë të pashembullta për një vend tjetër që nuk ka hyrë ende në procesin e negociatave. Ne bëmë përparime dhe Komisioni Europian njohu angazhimin tonë të plotë dhe arritjet tona të jashtëzakonshme në disa raste.
Sidoqoftë: Përpara se negociatat të fillonin zyrtarisht, disa vende anëtare të BE vendosën që negociatat me Shqipërinë nuk do të mbështeteshin nga pjesë të elektoratit të tyre.
Kështu që ata e shtynë këtë fillim zyrtar për negociatat. Kur erdhi koha për të justifikuar këtë vendim, ata nuk thanë që ju KENI një problem. Në vend të kësaj u tha se NE kishim disa probleme.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë më shumë se disa probleme. Është pikërisht kjo arsyeja që ne duam të përshpejtojmë procesin e integrimit në Bashkimin Europian në mënyrë që të marrim mjete në dorë për të zgjidhur pikërisht këto probleme.
Të jemi të qartë: ne nuk po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian nesër ose pasnesër. Shqetësimi ynë i vetëm tani është të marrim programet e nevojshme të ndihmës nga BE në mënyrë që të rritemi në rolin e një anëtari të ardhshëm në procesin e negociatave të pranimit.
Kur krerët e shteteve dhe qeverive europiane morën përsipër të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ata morën përsipër rrugën e “detyrimit”.
Meqenëse tani ju nuk keni arritur ta mbani këtë premtim disa herë, tani duhet të përballeni me “të vërtetën” dhe t’i përgjigjeni disa pyetjeve kritike.
Pyetja e parë: A ishte arsyeja e vërtetë e dështimit të negociatave kohëzgjatja e reformave tona (pasi Komisioni i BE zbuloi se përparimi i mjaftueshëm ishte bërë tashmë)?
Apo ishte mosgatishmëria e qeverive të caktuara për të zgjedhur një kurs që nuk do të mbështetej nga disa votues? Një përgjigje e vërtetë për këtë pyetje është jetike pasi cinizmi politik përbën po aq kërcënim për rajonin tonë sa pandemia e COVID-19. Partia ime arriti të fitonte zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, megjithë vonesat në procesin e integrimit. Ne jemi legjitimuar nga shumica e popullit tonë për të filluar negociatat. Vendi ynë mbetet i përçarë politikisht.
Premtimet e pambajtura të Bashkimit Europian vetëm sa e rritën këtë përçarje. Kuptohet që vetëm fillimi i procesit të integrimit na mundëson krijimin e bazës së nevojshme për forcimin e konsensusit politik që është thelbësor për të ardhmen e vendit tonë.
Pyetja e dytë: Sa prej anëtarëve aktualë të BE-së plotësuan të njëjtat kushte për të filluar negociatat, kur iu bashkuan Brukselit, ashtu siç pritet sot nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut?
Jam i prirur të mendoj se pengesat për anëtarët e ardhshëm të BE janë bërë më të larta. Por, në të vërtetë, nuk është e drejtë ta bësh tani fillimin e negociatave më të vështirë nga sa ka qenë më parë.
Pyetja e tretë: A kanë të drejtë morale disa politikanë europianë që të shkaktojnë mosmarrëveshje përçarëse te vendet e Ballkanit Perëndimor?
Dhe të këmbëngulësh që krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të rrezikojnë të gjithë karrierën e tyre në procesin e integrimit europian, ndërkohë që vetë këta krerë shtetesh të BE nuk janë të përgatitur aspak të heqin dorë nga komoditeti i tyre politik.
Përgjigjen për këtë pyetje ia lë lexuesit.
Nëse Bashkimi Evropian me të vërtetë nuk dëshiron ta çojë Ballkanin Perëndimor më afër Brukselit, atëherë të paktën duhet të jetë i përgatitur të tregojë historinë e vërtetë se pse rruga e negociatave është bllokuar kudo.
Kjo temë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë të vogël, si një motiv përmes të cilit jeta imiton artin. Ndihem sikur po jetoj në dramën e Samuel Beckett “Në pritje të Godosë”, pasi ka shumë fjalë, por asgjë nuk ndodh në fund të fundit.
Dhe si personazhet kryesore të Beckett, duke pasur parasysh këtë absurd të vërtetë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç të shkojmë përpara.
Sepse Europa është feja jonë. Dhe asgjë nuk do të ndryshojë, sepse kjo është rruga e fatit tonë./Gazeta Enigma/