Kush i nxori mbrëmë informacionet konfidenciale lidhur me bastisjen e sotme për dallaveret me rezervat shtetërore?

Kush i nxori mbrëmë informacionet konfidenciale lidhur me bastisjen e sotme për dallaveret me rezervat shtetërore?

Aksionet e Policisë dhe Prokurorisë janë konfidenciale dhe mbrohen me ligj sa herë organet e hetuesisë veprojnë sikur në rastin e arrestimit të tre të dyshuarve – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – për dallavere me rezervat shtetërore

Mirëpo, Mahmut Halimi avokat i të arrestuarit Ridvan Muharremi, ka deklaruar sot se kanë pasur informacione për bastisje para se aksioni të niste sot në mëngjes.

Ai ka thënë se informacionet i kishin marrë qysh mbrëmë se do të ketë bastisje.

“Qysh mbrëmë në ora 23:15, disa persona kanë thënë se do të ketë bastisje”, ka deklaruar sot avokati Halimi.

Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një sqarim nga avokati Halimi, por i njëjti nuk ka pasur qasje në telefonin e tij.

Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë ka nisur sot në orën 6 të mëngjesit në dy lokacione.

E Ministria që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari i ka mirëpritur hetimet e Prokurorisë Speciale për rezervën shtetërore dhe u ka bërë thirrje organeve të hetuesisë të mos cenojnë sigurinë kombëtare gjatë hetimeve.

Edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës, ka thënë se duhet pritur përfundimin e punës së organeve të drejtësisë lidhur me arrestimet e sotme të tre të dyshuarve për përfshirje në dallavere me rezervat shtetërore.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se tre të arrestuarit e sotëm – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – janë ndaluar për 48 orë derisa është paralajmëruar se do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do të ketë deklaratë gjatë ditës për arrestimin e tre të dyshuarve se janë përfshirë në dallavere me rezervat shtetërore.

Bastisjet janë zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.

Related Articles