Mediet serbe: Kurti s’pranoi ta nënshkruante deklaratën e përbashkët meqë s’ishte shkruar Republika e Kosovës

Mediet serbe: Kurti s’pranoi ta nënshkruante deklaratën e përbashkët meqë s’ishte shkruar Republika e Kosovës

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ka përfunduar pa një deklaratë të përbashkët.

Deklarata nuk u miratua pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi në momentin e fundit që në dokument të shkruhej “Republika e Kosovës”, transmeton Gazeta Enigma.

Sipas Tanjug, ajo deklaratë është harmonizuar ditë më parë.

Ky samit u karakterizua me përplasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. Siç tha Kurti, polemika nisi pasi pikërisht për çështjen e njohjes.

“Nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vitesh pavarësinë nga Serbia, është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se takimi brenda Samitit të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ishte më i vështirë nga sa priste, duke deklaruar se ishte më shumë një hyrje në ngjarjet e ardhshme, duke përfshirë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, sesa diskutim për çështjet rajonale. Ajo foli me theks të veçantë për përplasjen që e pati me Kurtin.

Bërnabiq u tha gazetarëve se ajo u përpoq të përqendrohej në rezultate të mira dhe bashkëpunim në rajon dhe se “dikush tjetër” (duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurt) transferoi bisedën në fushën e politikës, duke thënë se ai e mori përgjigjen adekuate./Gazeta Enigma/

Related Articles