Aleanca e Partive Liberale të Evropës kërkon llogari nga Serbia për sulmin terrorist në Banjskë

Aleanca e Partive Liberale të Evropës kërkon llogari nga Serbia për sulmin terrorist në Banjskë

Grupi i Partive Liberale të Evropës, ku bënë pjesë edhe PDK si anëtare e saj, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Në një deklaratë, ALDE ka bërë thirrje Serbisë të hetojë përgjegjësit për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

ALDE u bën thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë plotësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe me autoritetet e Kosovës në hetimin dhe sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin kundër patrullave të Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Autoritetet në Serbi duhet të përmbahen nga mbështetja dhe inkurajimi i sulmeve të dhunshme kundër Kosovës dhe duhet të angazhohen plotësisht për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si parakusht për anëtarësimin në BE”, thekson ALDE.

ALDE beson fuqishëm se afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në do të ndihmojë në nxitjen e stabilitetit dhe sigurisë.

“Prandaj ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian të shtojë përpjekjet e tij dhe të sigurojë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përshpejtojë ritmin dhe të sjellë përparim drejt reformave dhe normalizimit mes dy vendeve”, thuhet më tej në komunikatën e ALDE-s.

Related Articles