Qeveria e Kosovës ka përmbushur 47% të Programit Legjislativ sipas planifikimeve deri në fund të muajit shtator 2023 përkundër faktit se këtë program ajo e ndryshoi për më shumë se 5 herë duke shtyrë herë pas herë afatin e miratimit të projektligjeve në Qeveri.
Me 25 janar të këtij viti, Qeveria e Kosovës miratoi Programin Legjislativ për vitin 2023 me gjithsejtë 100 projektligje. Përderisa me 11 janar 2023, ajo miratoi dy projektligje ende pa miratuar programin legjislativ. Përkundër faktit se ajo ndryshoi dhe plotësoi programin legjislativ 5 herë, duke shtyrë afatin e miratimit të projektligjeve në qeveri, përqindja e realizimit nuk e kaloi gjysmën e planifikimeve për t’u miratuar dhe proceduar për në Kuvendin e Kosovës.
Sipas ndryshimeve të fundit të cilat ndodhën në mbledhjen e 154 të Qeverisë me 9 korrik 2023, ku u shtuan katër projektligje dhe i’u ndryshua afati i miratimit 13 projektligjeve, kabineti qeveritar nuk arriti t’i miratojë më shumë se 45 projektligje nga 98 të planifikuara.
Numrin më të lartë të miratimit të projektligjeve e ka arritur Ministria e Mbrojtjes me 100%, Zyra e Kryeministrit me 75%, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 75%, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 75%, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 63%, Ministria e Drejtësisë me 60% dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve 52%.
Nivelin nën 50% të miratimit të projektligjeve e mban Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 40%, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me 25%, Ministria e Shëndetësisë me 25%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 25% dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 20%.
Përkundër planifikimeve, asnjë projektligj nuk e ka miratuar Ministria e Ekonomisë. Ajo miratoi një projektligj të vetëm në muajin tetor.
Nga 46 projektligje e proceduara për në Kuvendin e Kosovës gjatë këtij viti, Kuvendi i ka miratuar 17 në lexim të dytë, ende nuk i ka miratuar 24 përkundër faktit se kanë kaluar afatet procedurale, ndërsa 5 projektligje nuk janë shqyrtuar ngase ato janë proceduar në muajin shtator.
Edhe dy muaj e gjysmë deri në fund të vitit, Qeveria ka përmbushur vetëm 34% të totalit të agjendës legjislative
Ndryshimet e bëra gjatë këtij viti sollën numrin prej 140 projektligjeve të planifikuara për miratim deri në fund të vitit. Sipas vendimeve të publikuara në faqen e Zyrës së Kryeministrit rezulton se qeveria ka miratuar vetëm 1/3 e projektligjeve të planifikuara për miratim apo 34% të totalit të planifikuar.
Edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, ajo mori vendim për ndryshim të programit legjislativ. Sipas Kryeministrit Albin Kurti, qeveria detyrohet t’i heqë disa projektligje nga agjenda për shkak se ka numër të madh të projektligjeve për t’u miratuar deri në fund të vitit.
“Për shkak të numrit të madh të projektligjeve për hartim e miratim këtë vit detyrohemi që disa prej tyre t’i shtyjmë për vitin e ardhshëm”, tha Kurti.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, në raportin për zbatimin e programit legjislativ për vitin 2022 dhe në raportin për gjashtëmujorin e parë për vitin 2023, kishte evidentuar gjetje të njejta të cilat tregonin se qeveria nuk kishte arritur t’i miratojë më shumë se gjysmën e projektligjeve të planifikuara./BetimipërDrejtësi