Trajneri i Astanas, Grigory Babayan, ka thënë se do ta kenë tejet të vështirë të realizojnë udhëtimin drejt Kosovës për t’u përballur me Ballkanin të enjten mbrëma.
Strategu i skuadrës nga Kazakistani zbuloi se në Kosovë mund të udhëtojnë pa lojtarët me shtetësi serbe dhe ruse.
“Kemi një rrugë të vështirë përpara, do të kemi ndeshje me Ballkanin. Ka probleme me fluturimin çarter”, ka thënë ai fillimisht në konferencë për media.
“Siç e dini të gjithë, Kosova është një shtet i panjohur nga Kazakistani e kështu me radhë. Ka disa vështirësi me hyrjen e lojtarëve me shtetësi ruse dhe serbe”.
“Do të shohim se si do ta zgjidhim këtë. Ne duhet të rregullojmë logjistikën dhe të rikuperojmë sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka thënë Babayan për faqen zyrtare të klubit.
Ndeshja Ballkani – Astana zhvillohet të enjten prej orës 18:45 dhe i takon grupit C të Ligës së Konferencës.