Armando Broja duket se ka lënë pas lëndimin dhe është gati të rikthehet në fushën e gjelbër.
Trajneri i Chelseas, Maurico Pochettino e ka konfirmuar rikuperimin e sulmuesit shqiptar.
“Është mirë sepse sot po flisnim dhe ndoshta ai do të jetë i disponueshëm për të qenë në stol për të hënën. Ai po stërvitej sot. Shpresoj se ai mund të përfshihet në lojë, por ende nuk është konfirmuar”, tha ai.
Broja vetëm pak kohë më parë është rikthyer pas një periudhë të gjatë në infermieri, si pasojë e një dëmtimi të rëndë në gju dhjetorin e kaluar.
Ai këtë sezon është aktivizuar në vetëm tri ndeshje (122 minuta në total), në dy prej të cilave titullar, dhe ka shënuar një gol në fitoren 0-2 përballë Fulhamit në derbi.
Rikthimin e Brojës në fushë e mirëpresin edhe te Shqipëria para dy sfidave të fundit të eliminatoreve përballë Moldavisë në transfertë dhe ndaj Ishujve Faroe në “Air Albania”.