Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën, në një konferencë për media njoftoi se që nga sot fillon zyrtarisht vaksinimi masiv i qytetarëve të Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”. Ai ndër të tjera tha se ka vaksina të mjaftueshme për këtë proces.
Ai po ashtu tha se fillimi i vaksinimit masiv është proces thelbësor në luftën kundër COVID – 19. “Menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja ekonomike janë dhe mbeten prioritet e qeverisjes sonë. Sot po fillojmë një proces thelbësor për të parën dhe një parakusht për të dytën. Ministria e shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe partnerët e tjerrë i ka bërë përgatitjet për realizimin e planit për vaksinimin e qytetarëve në masë. Nga sot po hyjmë në një fazë të re të vaksinimit”, tha Vitia.
Mes tjerash ai tha se “Ky moment shënon një kapërcim në luftën tonë kundër COVID- 19 sepse vaksinimi në masë është proces jetik për sigurimin e imunitetit kolektiv të popullatës sonë dhe krijimin e kushteve për kthimin në një realit të ri”.
Vitia ndër të tjera njoftoi edhe për hapat që MSh-ja, ka marr për ta mundësuar vaksinimin masiv. “Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit MSh në bashkëpunim me Komunat ka krijuar hapësira të reja për vaksinim, ka shtuar kapacitete njerëzore duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi nga 89 sa ishin deri tani dhe gjithashtu ka siguruar vaksina të mjaftueshme, çka është më e rëndësishmja”, tha tutje ai.
Ai njoftoi se mbajtja e maskës si dhe distanca fizike mbeten masa të domosdoshme. “Masat janë liruar dhe situata është përmirësuar dukshëm, por virusi nuk ka përfunduar ende. Krahas mirëmbajtjes së masave në fuqi si bartja e maskave, ruajtja e higjienës, distanca mbeten mënyra më efikase për mbrojtjen nga COVID. Për këtë arsye ju inkurajojë të aplikoni për vaksinim”, theksoi ai.
Ndërsa i pyetur se a ka vaksina të mjaftueshme për vaksinim masiv, Vitia tha se gjatë këtij muaji do të vijë edhe kontingjenti i pari i arritur përmes kontratës së nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe kompanisë Pfizer.
“Kemi një numër komod të vaksinave, dhe shumë shpejt, deri në fund të muajit pritet të vijë edhe kontingjenti i parë i vaksinave nga kontrata që e kemi siguruar me kompaninë Pfizer. Po ashtu edhe 40 mijë doza pritet të vijnë nga Covax gjatë këtij muaji”, potencoi ai/Gazeta Enigma.