Tri partitë opozitare në Kosovë, PDK, LDK dhe AAK e quajnë të dështuar Qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, ekzekutivi gjatë vitit 2023 ka stagnuar në të gjitha nivelet, pasi s’ka pasur asnjë projekt zhvillimor në ekonomi, shëndetësi e arsim, ndërkaq, siç thonë opozitarët Kurti ka lënduar marrëdhëniet edhe me aleatët ndërkombëtarë, pasi vendi është ende nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Por të kundërtën e thonë nga ekzekutivi, të cilët konsiderojnë se kanë përmbushur të gjitha prioritetet gjatë vitit 2023.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti s’ka bërë asgjë pozitive gjatë këtij viti. Sipas tij, e njëjta më shumë është fokusuar në tema që kanë pasur qëllim dëmtimin e institucioneve të Kosovës dhe se ka krijuar probleme artificiale në veri për të shmangur problemet reale në Kosovë.
“Me thënë të drejtën e kam shumë të vështirë të gjej një gjë pozitive që e ka bërë kjo qeveri gjatë këtij viti. Meqenëse tërë kohën është fokusuar në tema që kanë pasur qëllim dëmtimin e institucioneve të Kosovës, duke përfshirë ato të sigurisë dhe gjithë të tjerat. Ligjet që kanë ardhur nga qeveria kanë qenë ligje tendencioze dhe që kanë pasur për qëllim të adresojnë vetëm avancimin e njerëzve që janë pjesë e LVV-së. S’ka pasur progres në asnjë fushë. Janë krijuar artificialisht probleme të ndryshme që me tërheq vëmendjen nga problemet reale që janë në Kosovë. Kemi pa një tensionim të skajshëm në veri, ndërsa është bërë përpjekje nga qeveria që të ikë nga çështjet sociale, çështjet e krizës ekonomike, inflacionit dhe problemeve elementare që kanë hasur populli i Kosovës”, thotë ai.
Kritik është edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili thotë se Qeveria Kurti në shumë segmente ka dështuar dhe se vendi është afër një bumi social.
Haziri përmend si të vetmen gjë pozitive reagimin e Policisë së Kosovës ndaj sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë.
“Kjo qeveri po punon në një format të programit qeverisës që ka punuar në koalicion me LDK-në, në kabinetin e qeverisë Kurti I. Por në operacionalizim, zbatim të politikave të brendshme në çdo sektor nëse shohim nga afër nuk ka progres. Në disa segmente kemi regres në disa segmente kemi probleme serioze. Jemi para një bumi social dhe në një situatë kur situatat janë heshtë dhe kur kërkesat e sindikalistëve dhe organizatave që përfaqësojnë interesin e shërbyesve civilë publikë janë të përditshme, por përgjigje nuk kemi. Çka mund të përmendi këtë vit, diçka që mund të dallohet dhe kur roli i qeverisë nuk është primar është reagimi në preventiv në parandalim të aktit terrorist më 24 shtator, por kjo i atribuohet burrave dhe grave të njësive të specializuar… Në anën tjetër merre sektorin e arsimit, shihe në çfarë gjendje jemi jo vetëm për shkak të testit PISA, por edhe fillimit të vitit shkollor me libra, ngufatje të kërkesave të SBAShK-ut, gjendjen në infrastrukturë dhe në sektorin e madh që duhet së paku me gjet diçka që ka shkaktuar progres ose në sektorë të ekonomisë, politikave sociale, shëndetësisë dhe bujqësisë”, thekson Haziri.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë për KosovaPress, se qeveria përmes propagandës vetëm po mashtron qytetarët, pasi s’ka asnjë rezultat konkret në asnjë sektor në vend.
“Është rimë mashtruese. Meqenëse që nuk ka punë, atëherë duhet me rrejt me mashtru dhe me shpikë. E tëra është propagandë me mashtru. Në vend që me iu dhënë njerëzve paga ose pensione që iu takojnë të rregullta, ai i ndan një herë në vit, një social dhe me atë i mashtron. Kjo është qeveria, nëse i merr pensionistët ata meritojnë pensione të dinjitetshme, nuk i rritë pensionet por iu jep 100 euro ose rasti i fëmijëve njëjtë”, deklaron Haradinaj.
Po ashtu edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se qeveria Kurti ka stagnuar në të gjitha nivelet, krahas premtimeve të mëdha edhe entuziazmit që ka pasur kur ka ardhur në pushtet.
“Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtime shumë të mëdha, me entuziazëm shumë të madh, me një idealizëm për përmirësimin e shpejtë të të gjitha problemeve në Kosovë. Mirëpo këtë vit nuk ka qenë në përputhje me këto pritshmëri, pasi ka pasur stagnime në po thuajse në të gjitha nivelet. S’ka pasur ndonjë zhvillim ekonomik, as në shëndetësi, as në arsim dhe në politikën e jashtme. Në përgjithësi nuk mund të thuhet se është një bilanc pozitiv, duke marrë parasysh se i ka duart të lira në raport me Kuvendin dhe presidencën”, thekson Muhaxhiri.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, tha se synimi i të gjitha vendimeve qeveritare ka qenë qytetari dhe fuqizimi i shtetit.
“Për secilin prej tyre, udhërrëfyes e kemi pasur programin qeveritar. Përfitues përfundimtar ka qenë përherë qytetari. Synimi gjithmonë ka qenë zhvillimi i vendit dhe fuqizimi i shtetit. Në fillim të vitit ndamë shtesat për stafin shëndetësor dhe punëtorët e sektorit publik. Kurse në fund të vitit, para dy jave, ndamë shtesa për fëmijët nën moshën 16-vjeçare dhe të gjithë pensionmarrësit. Ndërmjet këtyre morëm vendimin për pagesën për 590 specializantë me vetëfinancim, dhe ndamë mjetet për të subvencionuar të gjithë punëdhënësit në sektorin privat të cilët i kanë rritur pagat për punëtorët e tyre. U kemi dalë në krah bizneseve përgjatë gjithë vitit, sidomos atyre prodhuese dhe përpunuese, e veçanërisht për qasje në financa por jo vetëm. Teksa për herë të parë miratuam Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030”, ka thënë Kurti.
Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2023 ka mbajtur 62 mbledhje, derisa janë marrë gjithsej 526 vendime, ndërkaq janë miratuar 66 projektligje dhe pesë nisma legjislative