Maliqi i lindur dhe i rritur në Zurich të Zvicrës, vjen nga Komuna e Kamenicës, më saktësisht nga fshati Busavatë pas 11 viteve përvojë si trajner futbollin zvicerian e pranoi ftesën e FFK-së për ta marrë drejtimin e Kosovës U19.
Adil Maliqi për një kohë të shkurtër arriti që të bëhet shembull për trajnerët në Kosovë duke pasur suksese me Kosovën U19, pasi u kualifikua në Elite Round, ku shorti bëri që do të ballafaqohen me skuadra si Spanja, Austria e Sllovenia.
37-vjeçari nga Kamenica në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Enigma ka treguar për karrierën e tij si futbollist si i vogël në Zurich, si nisi zejën e trajnerit dhe si po ka suksese me Kosovën U19.
SI NISI KARRIERA SI FUTBOLLIST DHE TRAJNER?
Karrierën si i vogël Maliqi e kishte nisur në Zurich te skuadra e Grasshopers dhe te ajo e Ëinterthurit, ai nuk ishte i vetëm më familjen e tij që merrej me futboll, pasi edhe vllau i tij ishte futbollist.
“Karrierën si futbollist e kam nisur në akademinë e Grasshopers në Zurich dhe në FC Ëinterthurit. Në futbollin zviceran kam pasur shumë unë edhe vllau, pasi ishim të pakët lojtarë që në atë kohë luanin në ndonjë klub të madh në Zvicër”, tregon Maliqi për Gazetën Enigma.
Derbi i qytetit ndërmjet Zurichut dhe Grasshoppersit ka qenë i veçantë për Adilin, pasi ai jetonte në një lagje të qytetit ku të gjithë ishin tifoz apo lojtarë të Zurichut, e vetëm ai me vllaun e tij ishin lojtarë të Grasshoppersit.
“Ka shumë ndeshje që kanë pasur emocione dhe nuk di cilat t’i përzgjedhi, por gjithmonë derbi të zjarrtë kanë qenë ata mes Grasshoppers Club Zurich dhe FC Zurich. Rivaliteti u kanë shumë i madh mes klubeve, unë jam rritur me një pjesë të qytetit ku të gjithë ishin lojtar apo tifoz të FC Zurich, kurse vec unë edhe vllau ishim lojtarë të Grasshoppers Zurich”, rrëfen tutje Maliqi për momentet e veçanta sa ishin futbollist profesionist së bashku me vllaun e tij.
Kur u bë baba për herë të parë, Adili vendosi që të tërhiqej nga futbolli për t’iu përkushtuar familjes. Ai tregon për Gazetën Enigma se rastësisht hyri në zejën e trajnerit.
“Rastësisht jam hyrë në zejën e trajnerit, pasi vllau im që ka qenë profi e la futbollin edhe filloi me karrierën e tij si trajner, unë ndërkohë u bona baba edhe vendosa me u terhek komplet nga futbolli për t’iu përkushtuar familjes”, tregon ai.
Pasionin e madh qe e ka tani si trajner, Maliqi e kuptoi vetëm pasi e mori detyrën e parë në zejen e trajenri te FC Kosova Juniorët U19.
“Vllau im e kishte një skuadër FC Kosova te Juniorët U19 ku pak para se me ja nis kampionati jep dorëheqja nga posti i trajnerit për shkak të një ofertë më të mirë që e mori edhe e la klubin pothuajse keq, pastaj me pyeti mua se a du une me marrë vendin e tij në mënyrë që mos t’a lojmë klubin keq së paku për gjysmë sezoni. Nuk u mendova dy herë edhe e pranova ofertën, pasi si lojtar si n’fushë edhe si jashtë fushës jam kanë një lojtar lider që i kam pri skuadrës. Pasi e mora detyrën e trajnerit mu shfaq një pasion të cilin rrallë e kam pas në futboll qysh e kam tani si trajner”, zbulon Adil Maliqi se nga i buroi pasioni i madh për zejën e trajnerit.
Adil Maliqi tregon se cilat janë dallimet si lojtar e si trajneri. Ai tregon se ç’ka mundet të bëjë një trajner te lojtarët e tij, çfarë kontributi mund të japë që të rritën lojtarët. Për të ka rëndësi të madhe që lojtarët të përkrahen.
“Dallimet janë që ti si trajner mundesh me lanë një filozofi mbrapa ku i mbështetë lojtarët dhe kjo është shumë e rëndësishme me peshë të madhe, për shkak se shume trajnerë harrojnë se cila është rëndësia e tyre edhe çfarë detyre kanë. Është me rëndësi që ta shkollosh lojtarin në të gjitha aspektet, karakter, mentalitet, tenikë, teknikë në presion, taktikë, leximi i lojës. Duhet t’i mësosh lojtarët e tu si lexohen aksionet dhe aspektet fizike normal. Por çka është më e rëndësishmja se ti si trajner mundesh me i përkrahë ata futbollista, siç kam qenë unë”, tregon rëndësinë e zejës së trajnerit, Adil Maliqi.
Maliqi thotë se ishte lojtarë i mirë, por fati nuk ishte me të pasi nuk ka pasur trajner që kanë luajtur lojë ofanzive, lojë e cila iu ka përshtatur atij. Ai thotë se do të jap gjithçka nga vetja për lojtarët që kanë vizion të lojës.
“Unë si futbollist kam vuajtur në Zvicër, sepse kam pasur kontrollë të mirë të topit, kam pas vizion në fushë dhe nuk jam përkrahur kurrë nga trajnerët pasi janë kan shumë konservativ, pasi kanë luajtur vetëm lojë defanzive vetëm më e largu rrezikun nga porta. Lojtari me teknikë të mirë të lojës vuan me trajnerë të tillë. Unë si trajner e japi maksimumin që t’i përkrahi lojtarët që kanë teknikë të mirë dhe vizion të lojës. Këtë gjë e vrejta shumë shpejtë te unë edhe mundesh me i mbështetë lojtarët që dojnë me lujtë futboll”, thotë ai.
SI ERDHI FTESA E FEDERATËS SË FUTBOLLIT TË KOSOVËS PËR ADIL MALIQIN?
Pas plotë 11 viteve në zejën e trajnerit, skautët e FFK-së, e kishin nën vëzhgim Adil Maliqin, i cili në sytë e tyre ishte trajneri që ishin duke e kërkuar për Kosovën U19.
“Pas plotë 11 viteve në zejën e trajnerit, përvojave të shumta më erdhi ftesa nga Federata e Futbollit e Kosovës. Skautët e FFK-së, fillimisht më vëzhguan në dy ndeshje kundër FC Grasshoper ku fituam 3-0 dhe kundër FC Zurich ku fituam 3-1. Aty ia lash përshtypjën që jam ai trajneri me profilin që këta e kanë kërkuar për Kosovën U19”, zbulon ai për Gazetën Enigma.
Ftesa për ta marrë drejtimin e Kosovës U19 për Adil Maliqin përshkruhet me emocione, e krenari, ai thotë se e ka dhënë një zotim se do t’ia shpërblejë Kosovës besimin e dhënë në fushën e lojës.
“Kur e kam marrë ftesën kam pasur shumë emocione, një ndjenjë e papërshkrueshme, plotë krenari. Pasi si lojtar nuk arrita me lujtë me përfaqësu shtetin tem, tani si trajner është një nder i papërshkrueshëm dhe një privilegj që gjithmonë dua t’i dalë zot atij vendimi, detyrën që ma kanë besu me ia kthy Kosovës një milionë herë me të mirë edhe me shpërbly me rezultate të mira në fushë”, tregon Adil Maliqi i emocionuar.
Adil Maliqi tregon se cila është filozofia e tij si trajner.
“Unë si trajner e kam një filozofi të lojës ku edhe e kam bërë skautimin e lojtarëve. E kam ditë që janë do gjana që unë nuk mundem me i marrë disa vendime siç janë lëndimet, te rasti i fundit gjashtë lojtarë i patëm të lënduar, dy lojtarë pa pasaportë, tetë lojtarë nuk munden me marrë pjesë e që pata dëshirë me i pas meveti. Kjo është pastaj te trajneri se sa është i përgatitur për raste të tilla e me mungesa të mëdha, unë jam përgatitur se e kam ditë se nuk është në dorën time. Munden me u lëndu shumë shpejtë lojtarët edhe çfardo rasti me ndodh edhe nuk e ki me veti”, tregon ai.
“Këtu duhesh me përgatit terrenin me pas sa më shumë lojtarë, me ditë se çka podon në fushë dhe si po don me e zhvillu lojën. Prandaj grumbullimet që i kam bërë para ndeshjeve zyrtare gjithmonë kam shiku me e ndryshu listën e lojtarëve, që me i njoftë sa më shumë lojtarë e me pas sa më shumë opsione me lojtarë të cilët i kam vëzhguar e të cilët kam dashur t’i shohë nga afër nën urdhërat e mi që kur t’ia nisin lojërat zyrtare me e kuptu rëndësinë e asaj lojë se çka dojmë në fushë. Kjo ka qenë njëra ndër vështirësitë më të mëdhaja që e kam pasur gjatë këtyre më shumë se gjashtë muajve si trajner”, zbulon ai për Gazetën Enigma.
Kosova U19 bëri paraqitje fantastike ndaj Maltës duke barazuar 2-2, edhe me Sllovakinë barazoi 1-1, kurse qërshia mbi tortë ishte fitorja fantastike 4-0 ndaj Ukrainës për t’u kualifikuar në Elite Round.
Timonieri i Kosovës U19, Adil Maliqi tregon se a i ka analizuar kundërshtarët në Elite Round.
“Tasht niveli i garave në Elite Round është shumë më i lartë edhe që ne ishim faktikisht me dy skuadra që e kishin stilin e Elite Round me dy kombëtare shumë të forta si Sllovakia dhe Ukraina. Spanja dihet si luan me lojën e tyre tika – taka, loja e pozitës që e kanë shumë të mirë, mbingarkimin e zonës që e zotrojnë si askush tjetër. Austria e ka lojën e vet të trajnerit të kombëtares A, që dihet qysh luan me presing të lartë intensivë, me tentu me përfitu prej gabimeve të kundërshtarit.Sllovenia e ka një stil të përzier mes Ballkanit edhe të Evropës”, tregon Adil Maliqi.
Maliqi thotë se më së shumti koncentrohet në lojtarët e tij, ndërtimin e lojës, sesa te kundërshtari. Ai beson se nëse punojnë fortë mund të jenë befasi e ëmbël edhe në Elite Round.
“Unë faktikisht nuk po merrna shumë me stilet e kundërshtarëve, ne po mirremi me vetveten, me skuadrën tonë, ku na duhet me bo lojë më të mirë, të rrjedhshme, atraktive dhe në fund me dalë me sukses. Na çka arritëm tasht në kualifikim ishim skuadra që këna shënu më së shumti gola dhe ajo që kemi pranu më së paku gola. Ishim skuadra që kemi kriju më së shumti raste për gol, ishim skuadra me posedimin më të madh të topit edhe kjo flet për atë që ia kemi nisur para gjashtë muajve dhe tek tani po shihen frytet e saj. Unë jam i bindur nëse punojmë fortë në këtë drejtim, do të mund të bëjmë një befasi në Elite Round”, shprehet ai.
Për Kosovën U19 nuk ka pesimizëm, pasi ndaj çdo kundërshtari futën në fushë që ta japin maksimumin dhe të kërkojnë rezultat pozitiv.
“Unë jam një person shumë optimist dhe besoj shumë në produktin tim, domethënë ideja e lojës, filozofia që e kam, parimet që i kam në lojë. Unë besoj shumë në lojtarë që i kam përcjellë, mbi idenë e lojës edhe gjasat janë njëjtë për secilin në këtë grup. Të gjithë ia nisim me zero pikë, të gjithë startojmë me 11 lojtarë edhe duhet me hi maksimalisht ndaj kundërshtarit edhe me hi me shumë vetbesim edhe me atë ide të lojës që e kemi praktiku deri tasht që idetë tona t’i shfaqim në fushë dhe ta kërkojmë me çdo kusht rezultatin maksimal që mundemi me e zgjedh”, shprehet optimist Adil Maliqi.
Argjentina e Brazili janë kombëtaret që i kanë lënë përshtypje gjithmonë Adil Maliqit
“Ky sport më pëlqen jashtë mase, e dua me gjithë zemër. Intelegjencen, teknikën, emocionet vetëm futbolli dinë t’i jap. Skuadrat të cilat më kanë frymëzuar gjithmonë janë Ajaxi, Barcelona e Arsenali, kurse te kombëtarët që më kanë lën përshtyje janë Argjentina dhe Brazili. Lojtarët që më kanë inspiruar kanë qenë Maradona, Zidane, Rivaldo. Sidomos Rivaldo më ka pëlqyer shumë me stilin e tij”, tregon Adil Maliqi. /GAZETA ENIGMA/