Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. Kjo rregullore pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt.
Këtë vendim e ka komentuar menjëherë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Ai tha që beson se Brukseli zyrtar së shpejti do të dalë me qëndrim në lidhje me paralajmërimin e Kosovës se do të anulojë transaksionet e pagesave në dinarë.
“Unë jam i njohur me këtë çështje. E ngrita këtë çështje në një bisedë me kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe i kërkova të më jepte përgjigje për disa pyetje të rëndësishme”.
Kështu ka thënë Lajçak gjatë qëndrimit në Davos duke u përgjigjur në pyetje të një gazetari serb në lidhje me paralajmërimin e Kosovës se do të ndalojë transaksionet e pagesave, siç ka thënë ai “me Serbinë”.
Ai ka theksuar se këtë informacion ia ka përcjellë Brukselit dhe se shërbimet tani janë duke e analizuar situatën dhe se pret që së shpejti të dalin me qëndrim zyrtar.
Lajçak po ashtu ka thënë se nuk dëshiron të japë asnjë vlerësim dhe se beson se do të gjendet një zgjidhje që nuk do të ketë pasoja.
Pas Lajçakut për vendimin ka reaguar edhe Departamenti amerikan i Shtetit.
Një zëdhës i saj ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga kjo rregullore.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë” ka thënë zëdhënësi për Pavlovic Today.
“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigje.
Sipas këtij mediumi, Departamenti i Shtetit nënvizoi se, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe zotimet e marra sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia “ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për anëtarët e komunitetit etnik serb në Kosovë”.
“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të kërkojmë nga Kosova që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, citohet zëdhënësi.
“Departamenti i Shtetit theksoi se individët në Kosovë të cilët “në mënyrë legjitime marrin ndihmë financiare nga Serbia kanë nevojë për qasje në një mekanizëm ligjor funksional përmes të cilit ata mund ta marrin atë mbështetje”.
Sipas tij, institucionet që ofrojnë shërbime jetike, si arsimi dhe shëndetësia, “duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë funksionimin e tyre”.
Pa reagim nuk ka mbetur as Qeveria gjermane e cila i kërkoi Kosovës që të shtyjë planet për zbatimin e vendimit që euro të jetë monedha e saj të vetme mes shqetësimeve se vendimi mund të përkeqësojë tensionet etnike duke ndërprerë qarkullimin e parave kesh për serbët etnikë në veri të vendit.
“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm Kosovës që të shtyjë datën e zbatimit derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, u tha gazetarëve në Berlin të premten Christiane Hoffmann, zëvendës-zëdhënëse e qeverisë.
Derisa këtë çështje e konsideron është një vendim sovran për Kosovën, Hoffmann e quajti vendimin për valutën një “hap të rëndësishëm me pasoja të gjera”, që kërkon më shumë kohë dhe përgatitje.
Agjencia e lajmeve me seli në New York “Bloomberg News” shkruan se udhëheqësit europianë kanë dështuar në përpjekjet për të normalizuar lidhjet midis Serbisë dhe Kosovës, sovranitetin e së cilës autoritetet në Beograd refuzojnë ta njohin. Tensionet në Kosovën veriore të dominuar nga serbët vluan gjatë vitit të kaluar në dhunën më të keqe në gati dy dekada.
Për këtë çështje kryeministri Albin Kurti i ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së.
Sipas komunikatës së ZKM-së, në takim është diskutuar për nenin 35 të rregullore që përcakton se valuta e vetme e lejuar në Kosovës për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, bazuar në Nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për BQK-në.
Kurti në takim ka thënë se është e rëndësishme që të respektohet kushtetuta dhe ligjshmëria në vend dhe gjithashtu që të respektohen autoritetet e pavarura në vend sikurse BQK.
“Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.
“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.
Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.
Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.