Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me të sanksionuarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh udhëheqësin e serbëve në Bosnje, Milorad Dodik.
Lajçak dhe Dodik u takuan të premten në margjinat e Forumit Diplomatik në Antalia.
“Më vjen mirë që pata rastin të takoj të tre anëtarët e Kryesisë së Bosnjes, si dhe z. Dodik në Antalia. Unë nënvizova rëndësinë thelbësore për të kryer reformat e nevojshme që Bonsja të ecë përpara në rrugën e saj evropiane në mars. Kjo është me interes jetik për të gjithë vendin”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Veç Dodikut, Lajçaku takoi edhe dy anëtarët e tjerë të Presidencës së Bosnjes, me të cilët diskutoi reformat e nevojshme për integrimin në BE.
Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja më 5 janar të vitit 2022. SHBA-ja e ka akuzuar atë se drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.
Milorad Dodik është sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.