Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se puna për ankandin elektronik për projektin e parë solar prej 100 megavatëve, ka filluar që nga viti i parë i mandatit qeverisës.
Gjatë fjalës së saj në këtë ankand, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ajo tha se qëllimi i ministrisë që ajo drejton ishte që të kenë një projekt të madh në mënyrë që të sigurohen se ekonomia garanton një çmim sa më të volitshëm për qytetarët.
“Puna për këtë ankand ka filluar që nga viti i parë i mandatit me themelimin e grupit punues për të vendosur karakteristikat kryesore të tij. Qëllimi ynë ishte që të kemi një projekt të madh ashtu që të sigurohemi se ekonomia garanton një çmim sa më të volitshëm për qytetarët tonë. Përkundër faktit se kjo e rriti kompleksitetin, ne insistuam që ankandi të bëhet në tokë publike, një lokacion specifik të paracaktuar ashtu që secilit t’i jepet mundësia e barabartë dhe ashtu që të sigurohemi që shfrytëzimi i pronave të jetë sa më efikas, pra për prodhimin e energjisë së pastër të mos e bëjmë në kurriz të humbjes së tokave bujqësore ose atyre që mund të përdoren për aktivitete të tjera”, tha Rizvanolli.
“Pas shumë analizave nga ekipi i USAID-it, së bashku me Ministrinë e Ekonomisë, kemi përzgjedhur lokacionin në komunën e Rahovecit i cili veçohet në terren më të përshtatshëm dhe ka rrezatim të lartë diellor. Për të krijuar kushte tërheqëse për investitorët kemi ofruar një sërë avantazhesh kritike. Përmes këtyre përparësive dhe madhësisë së projektit, kemi bërë një projekt tërheqës për investitorët”, tha më tej ministrja Rizvanolli.