Ka disa vite që Kosova është duke u përballur me ikjen e mjekëve dhe stafit shëndetësor drejt shteteve perëndimore, ku kërkesa për ta është tejet e madhe, shkruan Gazeta “Enigma”.
Por, sa ka ndikuar liberalizimi i vizave në largimin e mantelbardhëve drejt perëndimit?
“Së paku deri më tani liberalizimi i vizave nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të mjekëve që janë drejtuar për punësim në vendet perëndimore”, vlerëson Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.
Ai në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka theksuar se 40 mjek janë shtuar listës së atyre që orientohen kah perëndimi.
“Bazuar në statistikat tona, nuk ka ndonjë rritje të numrit, krahasuar me vitet paraprake, të mjekëve që janë në proces të largimit apo janë larguar tanimë. Për këtë katërmujorësh janë 40 mjek që kanë plotësuar dokumentacionin për largim dhe punësim në shtetet perëndimore. Kjo tregon, së paku deri më tani, se liberalizimi i vizave nuk ka ndikuar”, tha Sejdiu për “Enigmën”.
Tutje ai ka shtuar se “shumica prej këtyre kolegeve janë të pa punë dhe kanë një moshë mesatare prej rreth 30-vjeçare”.
Ikja e stafit shëndetësor, shqetësuese sipas KMDLNj
Ndërsa Behxhet Shala nga KMDLNJ në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se mungesa kryesore në institucionet publike shëndetësore pas liberalizimit të vizave ka ndikuar në mungesë të stafit, e sidomos në repartin e Klinikës Gjinekologjike si mami, motra medicionale dhe anesteziologë.
“Problemet kryesore në institucionet publike shëndetësore në përgjithësi dhe Klinikën Gjinekologjike në veçanti është mungesa e stafit që pas liberalizimit te vizave po largohen në shtete perëndimore, si mami, motra medicionale dhe anesteziologë. Pastaj , ata janë të angazhuar në disa vende pune”, tha Shala.
Sipas Shalës në Klinikën Gjinekologjike dhe institucionet publike shëndetësore shkojnë kryesisht pacientë që nuk mund të trajtohen në ato private shkaku i parave dhe nuk kanë sigurime shëndetësore. “Trajtimi dhe kujdesi shëndetësorë është detyrim i shtetit sikur që është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut”, thekson ai.
Për situatën aktuale të shëndetësisë në vend Shala ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë.
“Deri më tani shteti ka dështuar në përmbushjen e këtij detyrimi sikurse kemi një ministri të Shëndetësisë krejtësisht anemike dhe impotente, skajshmërisht të politizuar, pa integritet profesional dhe moral. Për këtë gjendje ministri i Shëndetësisë do të duhej të dorëhiqej, ose që do të ishte më e drejtë do të duhej të shkarkohej. Ndoshta, në fund të mandatit, për shkaqe të përfitimit elektoral mund të ketë investime ad hoc por që në aspektin afatgjatë nuk e përmirëson gjendjen”, deklaroi Shala për “Enigmën”.
Gjilani s’ka mungesë të stafit shëndetësor
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma”, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, tha se në këtë komunë prej liberalizimit të vizave nuk kemi mjekë që janë larguar drejt perëndimit.
Tutje Kamberi ka shtuar se aktualisht Komuna e Gjilanit ka stafe të mjaftueshëm, aq sa parashihet edhe nga ministria.
“Unë flas vetëm për QKMF, këtu nuk kemi asnjë mjekë që e ka lënë punën për të shkuar në vendet perëndimore”, tha Kamberi për “Enigmën”.
“E kemi numrin e caktuar nga ministria të cilin nuk mundemi me e kalua. Por, në bazë të numrit të banorëve kemi numër të mjaftueshëm, aq sa e parasheh ligji”, deklaroi Kamberi. /Gazeta Enigma/