Policia e Kosovës të hënën ka zhvilluar një aksion në veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, si dhe u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale përfshirë 75 milionë dinarë (rreth 640 mijë euro).
E lidhur me këtë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës theksuan se sipas legjislacionit në fuqi aktiviteti ose operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm.
“Ju njoftojmë se sipas legjislacionit në fuqi aktiviteti ose operimi i institucioneve financiare pa licencë është veprim i paligjshëm dhe i palejueshëm. Më saktësisht, ai bie ndesh me Ligjin Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, Ligji Nr. 04/L- 155 për Sistemin e Pagesave si dhe instrumentet rregullatore përkatëse.
Legjislacioni është i qartë se, askush nuk mund të merret me veprimtari të një banke apo institucioni financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga BQK-ja (Neni 5 i Ligjit për Banka) dhe se si institucion i pagesave mund të operojë vetëm një institucion të cilit i është dhënë autorizim nga BQK-ja (Neni 2.19 i Ligjit për Sistemin e Pagesave)”, thuhet në përgjigjen e BQK-së për Telegrafin
Tutje, BQK thekson se është institucion kushtetues me autorizime të caktuara ligjore dhe për detyrë përveç tjerash ka të rregullojë, licencojë dhe mbikëqyrë institucionet financiare, derisa zbaton objektivat e saj të mbajë një sistem financiar stabil dhe një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave.
“Prandaj, nuk mund të komentojë lidhur me punën e institucioneve të zbatimit të ligjit, ndërsa është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet shtetërore në zbatimin e ligjshmërisë në vend sipas kompetencave ligjore”, thekson BQK.