Ka nisur procesi gjyqësor në rastin për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi janë të pranishëm në sallë.
Seanca fillestare ishte paraparë për 3 prill, por ishte shtyrë në mungesë të Bislimit dhe Lushtakut. Të katër zyrtarët e shtetit akuzohen për rastin e përleshjes.
I dëmtuar në rast është ministri i Financave, Hekuran Murati, që po ashtu është i pranishëm.
Bislimi akuzohet se më 13 korrik 2023 ka përdorur dhunë fizike ndaj Lushtakut që i kishte hedhur ujë Bislimit. Bislimi akuzohet për “sulm”.
Edhe Lushtaku po ashtu akuzohet për “sulm” ndaj Bislimit.
E deputeti tjetër Hajdar Beqa akuzohet “për sulm” ndaj ministrit Hekuran Murati, por edhe se duke ia tërhequr syzat ka kryer veprën “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.
Deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, akuzohet për “lëndim të lehtë trupor” për goditjen ndaj Muratit.