Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar tre zyrtarë policorë, pasi të njëjtit janë përfshirë në një rrahje të një 15-vjeçri në një palestër sportive në Drenas, njofton Gazeta Enigma.
Vendimi i IPK-së erdhi pas ankesës nga ana e viktimës.
Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje, e hënë, rreth orës 20:00 pas një ndeshje në palestrën sportive.
“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë dhënë rekomandimin për suspendim nga detyra për tre zyrtarë policorë të cilët janë të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftimin e IPK-së. /Gazeta Enigma