Pas Belgjikës, nga 1 korriku Hungaria ka në dorë “çelsat” për drejtimin e Bashkimit Evropian, nën udhëheqjen e kryeministrit hungarez Viktor Orban, ku gjashtë muajt e ardhshëm pritet të jenë të vështira për lidershipin e BE-së pasi që ekzekutivi hungarez ka qëndrime kontradiktore me politikën e BE-së.
Për më tepër, Hungaria, e vetëquajtur “demokraci joliberale”, është penalizuar nga BE-ja, e cila ia ka ngrirë 6 miliardë euro fonde, të destinuara për të.
Orban nuk është i kënaqur me sanksionet e saj kundër Rusisë si dhe ka penguar ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe ka vënë në pikëpyetje aspiratat e Kievit për anëtarësimin në BE, kundërshton politikat e tyre për emigracionin, raporton Gazeta Enigma.
Por, presidenca hungareze shihet me shqetësim nga Parlamenti Evropian dhe disa vende anëtare për diversionet antidemokratike dhe lidhjet që i ka me Kremlinin.
Ndërkohë, Qeveria në Budapest është zotuar për të qetësuar shqetësimet e Brukselit e të veprojë me “paanshmëri”.
“Ne do të veprojmë si një ndërmjetës i paanshëm, me besnikëri të plotë ndaj të gjitha shteteve anëtare”, tha ministri hungarez i Çështjeve Evropiane János Bóka.
Sakaq, presidenca e Hungarisë do të bazohet në shtatë prioritete, duke përfshirë forcimin e konkurrencës ekonomike të BE-së, trajtimin më të mirë të imigrimit të paligjshëm dhe përparimin e procesit të pranimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Hungaria ka qenë vazhdimisht mbështetëse e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, fakti që Hungaria e ka renditur një politikë zgjerimi si një prioritet të presidencës reflekton sinjale pozitive”
Eksperti i çështjeve ndërkombëtare Akri Çipa, theksoi se zgjerimi i BE-së me integrimin e vendeve të Ballkanit është në agjendë dhe një hap mjaft i rëndësishëm për ardhmërinë e rajonit.
“Sa i përket specifikisht Ballkanit, është e rëndësishme të theksohet se Hungaria ka qënë vazhdimisht një mbështetëse vokale e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian. Fakti që Hungaria e ka renditur një politikë zgjerimi konsistente dhe të bazuar në merita si një nga prioritetet e presidencës së saj është mjaft pozitive. Kjo do të thotë se zgjerimi i Bashkimit Europian dhe integrimi i vendeve të Ballkanit do të mbetet në agjendë, mjaft e rëndësishme kjo për vetë ardhmërinë e rajonit. Për vende si Shqipëria, të cilat kanë bërë mjaft progres në çështjen e integrimit, por të cilat mbahen peng në rrugëtimin e tyre nga “teka” të ndonjë vendi anëtar e për motive të dobëta të natyrës dypalëshe, vemendja e shtuar është frutdhënëse. Edhe për vetë zhvillimet e fundit, Kosova ndodhet në një situatë pak më të koklavitur kundrejt institucioneve të BE-së. Thënë kjo, presidenca hungareze mund të krijojë një momentum për më shumë kontakt dhe dialog ndërmjet vetë Prishtinës dhe Budapestit, duke tejkaluar dhe një ftohje të marrëdhënieve bilaterale që është kundërproduktive”, u shpreh Çipa për Gazetën Enigma.
Takimi i kryeministrit hungarez me presidentin Zelenskyy japin mesazhe inkurajuese pas shqetësimeve të shumicës së vendeve anëtare të BE-së.
“Presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Europian është parë me skepticizëm prej mjaft vëzhguesve të jashtëm dhe të brendshëm, mbi të gjitha për sa i përket qëndrimit të Budapestit zyrtar kundrejt Ukrainës dhe agresionit rus. Megjithatë, vizita e kryeministrit Orban në Kiev dhe takimi me presidentin Zelensky që në fillim të presidencës japin mesazhe inkurajuese për një qëndrim konstruktiv të Hungarisë, në respekt të shqetësimeve të shumicës së vendeve anëtare të BE-së për këtë çështje dhe të konsensusit europian në kontekstin makropolitik”, përfundoi ai.
“Qeveria e Kosovës nuk e ka në favor presidencën e Hungarisë pë shkak të lidhjeve të ngushta të Budapestit me Beogradin”
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Amir Shabani, thotë se entuziazmi i Hungarisë për zgjerim duhet të merret parasysh dhe se shtetet anëtare të BE-së duhet të pranojnë shtytjen e Budapestit për proceset e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Qeveria e Kosovës duket të mos e ketë në favor Presidencën e Hungarisë për lidhjet e ngushta të Budapestit me Beogradin, mirëpo entuziazmi i zgjerimit të Hungarisë duhet të merret parasysh me një masë të kujdesshme. Shtetet anëtare duhet të pranojnë shtytjen e Budapestit për proceset e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe mund të mbështesin axhendën e tij, por ata duhet të bëjnë të qartë se Hungaria duhet të respektojë parimet e Bashkimit Evropian për demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit, si dhe se duhet të jetë ndërtuar mbi meritë“, tha Shabani për Gazetën Enigma.
Sipas Shabanit, në gjashtë muajt në krye Hungaria duhet të paraqet një plan për çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Në një kohë tranzicioni në Evropë, rotacioni periodik i Presidencës do të shënojë gjithashtu një ndryshim në vetvete. Presidenca do të kalojë nga një vend në zemër të projektit evropian, i cili është shteti i parë anëtar i BE-së që kryeson Këshillin për herë të 13-të. Gjashtë muajt e Hungarisë në krye të Këshillit të BE-së duhet të sjellin në plan të parë çështjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, për të cilën ajo do të mbështetet në mënyrë strategjike nga strukturat e saj të edukuara mirë të pozicionimit diplomatik në rajon”, vazhdoi Shabani.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare thotë se në këtë periudhë nga kërcënimet ruse që po i bëhen Evropës, është moment kyç që t’i mundësohet Ballkanit Perëndimor anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.
“Fakti i një konflikti akoma të pambaruar që po i kërcënohet Evropës nga Rusia me luftën në Ukrainë dhe turbulencat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, janë momente kyçe që do ia mundësojnë Ballkanit Perëndimor anëtarësim e plotë dhe fuqizimin gjeopolitik dhe gjeostrategjik me BE-në, këtë lehtësim duhet ta ofrojë Presidenca e Hungarisë. Çështja e zgjerimit të BE-së që ngërthen në vete vendet e Ballkanit Perëndimor, për Hungarinë duket të jetë si njëra ndër politikat thelbësore me prioritet strategjik, si për interesat e veta po edhe për interesat e gjithë Bashkimit Evropian, e jo ta konsiderojnë rajonin si një vend kufitar i jashtëm nga BE-ja. Pastaj, duke pasur parasysh predikimin e saj politik për një proces të shpejtë pranimi që është më pak i vlefshëm, veçanërisht ndaj Serbisë, ka të ngjarë që Hungaria të përpiqet të anashkalojë mekanizmin e kushtëzimit dhe të mbrojë një procedurë më të shpejtë”, përfundoi Shabani.
Orbán padyshim që do të përpiqet të ngrejë pengesa për disa çështje kyçe dhe të lehtësojë kufizimet në respektimin e sundimit të ligjit, në mënyrë që vendi i tij të marrë fonde evropiane, por hapësira e tij për manovrim është e kufizuar. Presidenca e radhës, e cila lejon një vend të kontrollojë axhendën e takimeve të 27 anëtarëve, i jep asaj fuqi të konsiderueshme, por jo absolute, sipas shumë diplomatëve.
Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian – një prej organeve kryesore vendimmarrëse të bllokut, që përbëhet prej ministrave të qeverive të shteteve anëtare – e mban me rotacion secili prej vendeve anëtare për një periudhë prej gjashtë muajsh.
Nëse Budapesti nuk i përmbush kërkesat e BE-së për sundimin e ligjit deri në fund të vitit, ai do t’i humbasë përgjithmonë 1 miliard euro. Kjo është një marrëveshje që hungarezët do të duan ta bëjnë./GAZETAENIGMA/