Agjencia e Statistikave të Kosovës më 12 korrik ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, shkruan Gazeta “Enigma”.
1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë ka Kosova, sipas regjistrimit të fundit popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Prej tyre, 795 mijë 45 janë meshkuj dhe 791 mijë e 614 femra.
Këto të dhëna i ka prezantuar Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.
Sipas këtij regjistrimi, mosha mesatare për vitin 2024 është 34.82 (rritje për 4.85 vjet). Raporti gjinor nuk ka ndryshime. Dominojnë meshkujt.
Aktualisht në vendin tonë dominon popullsia e grup moshave 16-64 vjet.
Tri komunat me dendësinë më të madhe të popullsisë janë Fushë Kosova, Mamusha dhe Prishtina.
Numri i banesave është 560 mijë. Numri i ekonomive familjare 353 mijë ekonomi familjare, derisa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banor.
Kastrati tha se në komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, pati bojkotim në masë të madhe. Ai shtoi se rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në dhjetor.
“Rezultatet mund të ndryshojnë pak nga të dhënat paraprake”, tha Kastrati.
Kosova plaket për gati 5 vjet nga regjistrimi i 2011
Sipas ASK-së, në Kosovë jetojnë 1 milion e 586 mijë qytetarë, teksa në sy bie rritja e moshës mesatare për afro 5 vjet.
“Në vitin 2011, mosha mesatare ishte 29,97 vjet, kurse në vitin 2024, sipas të dhënave preliminare mosha mesatare është 34.82 vjet (rritje për 4.85 vjet)”, tha Avni Kastrati, ushtrues i detyrës së drejtorit të ASK-s.
Më tej, Kastrati tha se grupmosha që dominon në regjistrimin e fundit është ajo 20-24 vjeç, për dallim nga viti 2011 ku dominonte grupmosha 10 deri në 19 vjeç.
Ky është numri i banorëve për secilën komunë të Kosovës
Sipas të dhënave preliminare, Fushë-Kosova, Mamusha dhe Prishtina e kanë dendësinë më të madhe. Fushë Kosova prin me rritjen më të madhe prej rreth 84 për qind. Në këtë komunë po ashtu jetojnë më së shumti persona në një metër katror, përkatësisht 762.
Nga të të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë del se nga 38 komuna të Kosovë, 9 prej tyre kishin rritje të numrit të banorëve dhe 29 kishin zvogëlim të numrit të banorëve.
Komuna me numrin më të madh të banorëve është Prishtina me 227 mijë e 154 banorë, e pasuar nga Prizreni me 147 mijë e 428 banorë, Ferizaji me 109 mijë e 345 banorë.
Gjakova ka 78 mijë e 824 banorë, Gjilani 82 mijë e 901 banorë, Fushë Kosova 64 mijë e 78 banorë, Kamenica 22 mijë e 898, Mitrovica 64 mijë e 680, Leposaviqi 3 mijë e 207, Lipjani 54 mijë e 974, Rahoveci 41 mijë e 777 banorë, Peja 82 mijë e 661, Podujeva 71 mijë e 18 banorë, Skenderaj 40 mijë e 632, Suhareka 45 mijë e 713, Vushtrria 61 mijë e 493, Zubin Potoku 758, Zveçani 435, Malisheva 43 mijë e 871, Mitrovica e Veriut me 2 mijë e 346 banorë.
Deçani ka një popullsi prej 27 mijë e 758 banorë, Gllogovci 48 mijë e 54, Dragashi 28 mijë e 908, Istogu 33 mijë e 66, Kaçaniku 27 mijë e 742, Klina 30 mijë e 574, Novo Bërda 4 mijë e 495, Obiliqi 22 mijë e 794, komuna e Shtimes 24 mijë e 320, Shtërpca 19 mijë e 890, Suhareka 45 mijë e 713 banorë, Vitia 35 mijë e 549 banorë, Juniku 3 mijë e 952, Mamush 5 mijë e e 615, Hani i Elezit 8 mijë e 600, komuna e Graçanicës 19 mijë e 371, Ranillugu 2 mijë e 472, Parteshi 3 mijë e 251, Kllokoti 3 mijë 55.
Regjistrimi i diasporës: Ja sa qytetarë janë regjistruar deri tani
ASK ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe se në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht në diasporë janë regjistruar rreth 600.000.
Kujtojmë se Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thekuar se të dhënat përfundimtare do të publikohen në fund të vitit dhe nuk pritet të dallojnë shumë nga këto paraprake.
“Një dallim me procesin e kaluar, është se gjithë procesi ka qenë digjital. Të dhënat janë grumbulluar për popullsinë rezidente, por edhe për atë jashtë Kosovës. Regjistrimi i diasporës ende vazhdon, deri më 31 gusht”.
“Të dhënat paraprake publikohen disa muaj pas datës së fundit të grumbullimit në terren. Këto shifra përfshijnë popullsinë e regjistruar, ato përfundimtare do të publikohen në fund të vitit. Kemi kapacitete e përvojën që në fund të vitit të publikojmë rezultatet finale që nuk pritet të ndryshojnë shumë nga këto paraprake”, ka deklaruar ai.
“Mbi 99.8 e objekteve të kodifikuara, por edhe ato të reja që nuk kanë qenë në hartën digjitale. Të gjitha këto janë kontaktuar, e vizituar. Në katër komunat në veri pati bojkotim në masë të madhe, përkundër se një pjesë është regjistruar”, tha Kastrati. /Gazeta Enigma/