Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale dhe është dënuar me 18 vjet burgim.
Shala është shpallur fajtor për veprën penale të ndalimit arbitar, torturës dhe vrasjes së paligjshme, si krim lufte.
Për veprën penale ndalim arbitar është dënuar me 6 vjet, për torturë 16 vjet burgim dhe 18 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Dënim i njësuar me 18 vjet burgim.
Kryetarja e Trupit gjykues tha se ky organ në bazë të provave të paraqitura ka konstatuar se ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ka marrë pjesë në ndalimin arbitrar, trajtim mizor, torturë të 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti.
Trupi gjykues ka konstatuar po ashtu edhe përfshirjen e Shalës në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës.
“Trupi gjykues konstaton se Shala është fajtor për veprën penale të ndalimit arbitar, torturës dhe vrasjes së paligjshme si pjesë e një ndërmarrje të përbashkët kriminal. Rrjedhimisht bazuar në tërësinë e provave Trupi Gjykues konstaton se shala është fajtor për kryerjen e veprave penale: ndalim arbitrar kundër së paku 18 personave, torturë kundër së paku 18 personave dhe vrasjes si krim lufte kundër një personi”, u tha gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Shala ishte arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në objektin e Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës, më 15 prill 2021.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohej me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ishte thënë në aktakuzë.
Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Shala i pati konsideruar akuzat ndaj tij si “të fabrikuara”.
Ky është aktgjykimi i dytë për krime lufte, i shpallur nga Gjykata Speciale.