Gjykata Themelore në Ferizaj do të shpallë aktgjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut në rastin e vrasjes mizore të Marigona Osmanit.
Seanca gjyqësore do të nisë në ora 11:00.
Krivaqa akuzohet për veprat penale dhunim dhe vrasje e rëndë në bashkëkryerje, ndërkaq Sejdiu për vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
“Ju njoftojmë se të hënën më 29 korrik 2024, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale, kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryejre vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Në fjalën përfundimtare të enjten (sot) në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaqa tha se tani e ndjera Marigona Osmani është personi që e ka dashur dhe se vrasja e saj nuk ka qenë e qëllimshme.
“Është personi që e kam dashtë, nuk ka qenë e qëllimshme, nuk kam qenë në dijeni që do të shkaktoja kaq shumë lëndime që ajo të vdiste, unë kam dashtë me kriju familje me të. Edhe një herë, ju kërkoj falje familjarëve”, tha Krivaqa.
Derisa Krivaqa po deklarohej, babai i tani të ndjerës u largua nga salla e gjykimit.
Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht të vitit 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Por rasti është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë.