Shefi i Urgjencës në Gjilan ka dhënë dorëheqjen pasi që ka thënë se një i moshuar ka vdekur muajin e shkuar shkaku i neglizhencës mjekësore dhe se autoritetet nuk kanë ndërmarrë masa. Por, në Komunën e Gjilanit dhe familjarë të të ndjerit kanë theksuar se versioni i prezantuar nuk përkon me realitetin. Madje, bëhet e ditur se ish-shefi i Urgjencës, ishte shkarkuar dy ditë para se ai të njoftonte për dorëheqjen. Megjithëkëtë, Policia ka nisur hetimet për rastin.
Zija Latifi, djali i të ndjerit Ali Latifi, e ka demantuar tashmë ish-shefin e Urgjencës në këtë komunë, Leotrim Kurteshi, i cili ka dhënë dorëheqje me arsyetimin se stafi mjekësor nuk ka qenë në krye të detyrës për këtë rast.
Latifi nuk e ka vënë fajin tek mantelbardhët për vdekjen e babait të tij.
“Atë ditë faktikisht e kemi thirrur ndihmën e parë, ndoshta ka pasur edhe një vonesë, por në fakt edhe ne duhet ta dimë se ndihmën e parë nuk e kemi te dyert e oborrit, por edhe ata kanë një kohë për të mbërritur. Por atë ditë edhe sikur krejt spitalet e Kosovës të kishin ardhur babit tim nuk kishin mundur t’i ndihmonin asgjë, se ka qenë fundi i jetës së tij”, ka thënë Latifi, tek e ka përshkruar ngjarjen në ditën e vdekjes së babait të tij.
I moshuari ka vdekur më 29 qershor, por tek këtë të enjte Kurteshi ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës në Gjilan. Ai ka thënë se vendimin e ka marrë meqë nuk ka vërejtur veprime nga menaxhmenti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe nga Drejtoria e Shëndetësisë.
“Rasti ka ndodhur më 29 qershor, shkaku i neglizhencës së mjekut e infermierëve nuk u janë përgjigjur thirrjes së qytetarit dhe pas kësaj rasti u la tek ekipi pasardhës, pa numër kontaktues dhe pa adresë. Ekipi ka shkuar tek një rast tjetër, pacienti ka thirrur për herë të dytë dhe ekipi ka shkuar tek familjarët, por ai ka qenë në gjendje të rëndë dhe ka vdekur”, ka thënë Kurteshi, ish-shef i urgjencës “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, shkruan Koha.net, përcjellë Enigma.
E, ndaj këtij versioni të Kurteshit kanë reaguar bashkërisht QKMF-ja dhe Drejtoria e Shëndetësisë.
“Menaxhmenti i QKMF-së ka kontaktuar me familjarët e pacientit të ndjerë të apostrofuar në deklaratë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë ankesë dhe as nuk do të paraqesin ndonjë ankesë dhe se çdo tendencë për të përdorur rastin e familjarit të tyre për çfarëdolloj qëllimi është e papranueshme. Më tutje, sipas ekipit përgjegjës mjekësor, rasti në fjalë nuk ka qenë rast urgjent, por pacient me gjendje terminale paliative, të diagnostikuar me kancer, të cilit i është dhënë ndihma mjekësore, sepse pacienti ka qenë gjallë kur është vizituar”, është theksuar në reagim.
Edhe djali i të moshuarit që ka vdekur, ka theksuar se dorëheqja e drejtorit të Urgjencës mund të ketë motive të tjera.
“Unë e di rastin e babait tim si ka qenë dhe kjo faktikisht pse e ka bërë një gjë të tillë ndoshta kanë edhe probleme mes vete, apo çka, qysh, tek, nuk e kuptoj, por le të jenë më të kujdesshëm herëve të tjera”, ka thënë Zija Latifi.
Policia Rajonale e Gjilanit ka bërë të ditur se në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë filluar hetimet dhe se aktualisht ndodhen në fazën fillestare të hetimit lidhur me rastin.